Lajme
Mbi 240 milionë euro kontrata një burimore që nga ardhja e Albin Kurtit në pushtet
Demokracia
22:42 | 11 Mars 2024

Share:

1805 tenderë një burimor janë dhënë që nga ardhja e Albin Kurtit në krye të qeverisë, më 22 mars të vitit 2021 e deri më tash.

Në bazë të raporteve që ka siguruar Paparaci, rezulton se shuma totale e të gjitha kontratave të nënshkruara për këto katër vite është 240,485,374.7 euro (mbi 240 milionë).

Analizat e raporteve të siguruara zbuluan se përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës (një burimor) ka qenë i shpeshtë dhe i përhapur gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

Kjo lloj procedure e cila nuk rekomandohet dhe e cila vlerësohet që ofron mundësi të keqpërdorimeve, është praktikuar në një shkallë jashtëzakonisht të lartë.

Informacioni mbi rritjen e numrit të tenderëve një burimor është përfshirë edhe në raportin vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

Kjo situatë tregon për një trend alarmant të përdorimit të kësaj procedure të dyshimtë dhe thellon nevojën për një transparencë dhe monitorim më të madh në procesin e dhënies së tenderëve.

Pikërisht për dhënien e këtyre tenderëve nga Qeveria, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme të enjten me ftesë të opozitës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha të hënën para mediave se Qeveria Kurti “ka thyer çdo rekord” sa i përket tenderëve një burimor.

“Konsiderohet një shkelje e jashtëzakonshme dhe burim i madh korrupsioni. Konsiderojmë se është një çështje që duhet të diskutohet në Kuvend dhe kemi propozuar një rezolutë dhe do t’i shohim mundësitë e një komisioni hetimor…”, ka thënë Gashi.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, është shprehur se këto kontrata janë burim i korrupsionit dhe e dëmtojnë buxhetin.

“Është jashtëzakonisht shumë shqetësuese. Si GP i PDK-së kemi paralajmëruar formimin e një komisioni hetimor. Numri i këtyre kontratave është jashtëzakonisht i madh”, ka shtuar ai.

Paparaci iu sjell listën e plotë të tenderëve njëburimor që nga 22 marsi 2021 deri më 29 janar 2024.

Kontratat-e-negociuara-mars-21-janar-24 (2)

Të ngjashme