Lajme
Mbi 200 mijë banorë janë regjistruar për 10 ditë – “kjo dinamikë rezulton me afro 1 milion banorë më pak në se në vitin 2011”
Demokracia
15:45 | 16 Prill 2024

Share:

Ish-drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, ka reaguar pasi ASK-ja ka njoftuar të hënën se për 10 ditë prejse ka nisur procesi i regjistrimit të popullsisë janë regjistruar mbi 200 mijë banorë.

Sipas tij, kjo dinamikë rezulton me afro një milion banorë më pak në tërë territorin e Republikës së Kosovës, se në vitin 2011.

“Kur marrim dhe krahasojmë periudhën 10 ditore që ka kaluar, dhe totalin e periudhës prej 43 ditëve, nga 5 prilli deri me 17 maj, totali i mundshëm i banorëve rezident, sipas kësaj dinamike të regjistrimit, del të jetë 860 mijë banorë rezident”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkaq në një konferencë për media një ditë më parë, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati, ka theksuar se regjistrimi po bëhet edhe në komunat veriore.

“Nga komunat veriore kemi njerëz nga komuniteti serb që janë regjistruar vullnetarisht edhe pse kanë disa sfida, mendojmë se në ditët në vijim një pjesë e madhe e tyre do të jenë pjesë e regjistrimit, se jemi duke punuar dhe bashkëpunuar me komuna  dhe institucionet tjera presim”, tha Kastrati.

Procesi pritet të zgjasë deri më 17 maj. Pjesëmarrja në regjistrim është e obligueshme me ligj. Ndërsa në rast refuzimi, qytetari mund të penalizohet me gjobitje prej 30 deri në 2,000 euro.

Ndryshe fillimi i procesit u shty për disa herë. Regjistrimi i popullsisë fillimisht ishte paraparë të nis më 1 shtator të vitit të kaluar.

Ai u shtyje për 1 nëntor, për t’u shtyrë më pas përsëri. Në regjistrim e popullsisë do të angazhohen rreth 3.500 regjistrues dhe 891 mbikëqyrës, sipas ASK-së.

Të ngjashme