Izraeli po dërgon ndihma humanitare në Siri – një vend me të cilin është zyrtarisht në luftë – tha të hënën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, raporton CNN.
Siria dhe Turqia pësuan sot një tërmet shkatërrues që goditi zonat pranë kufirit mes dy vendeve.
Izraeli e kishte marrë kërkesën për ndihmë “nga një element diplomatik”, pa specifikuar se cilët ishin diplomatët, tha Netanyahu, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Izraeli dhe Siria nuk kanë marrëdhënie formale mes vete.
Udhëheqësi izraelit tha se ai e ka miratuar kërkesën për ndihmë dhe supozoi se do të veprohej “në të ardhmen e afërt”.
Izraeli po i përgjigjet gjithashtu edhe një kërkese për ndihmë nga qeveria turke duke dërguar dy misione shpëtimi dhe ndihmë mjekësore të hënën, shtoi kryeministri izraelit.
Ndërkohë, shifrat e fundit zyrtare tregojnë se numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri, nga tërmeti shkatërrues, ka kaluar mbi 1800.