Lajme
Mbi 17 mijë kosovarë u infektuan me COVID për një javë, Vjosa Osmani i uron shërim vetëm Erdoganit
Demokracia
22:07 | 05 Shkurt 2022

Share:

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, konfirmoi se është infektuar nga Covid-19 bashkë me gruan e tij. Lutje për shëndetin e tij bën shumë turq dhe dashamirës të “sulltanit” të Stambollit. Në mesin e urimeve për shërim të shpejt ishte edhe ai i presidentes kosovare, Vjosa Osmani, shkruan Demokracia.com.

“Duke i uruar shërim të shpejtë Presidentit @RTerdogan dhe Zonjës së Parë, Emine Erdoğan!”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Twitter.

Por, lutja e të parës së shtetit nuk erdhi edhe për mijëra qytetarë të Kosovës që u infektuan nga virusi Covid-19 gjatë javës së fundit, ku kishte edhe dhjetëra të vdekur.

Vetëm gjatë javës që po e lëmë pas, në Kosovë janë infektuar me Covid-19 gjithsej 17 mijë e 918 persona, kurse betejën me këtë virus e kanë humbur 25 qytetarë.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë infektuar 1 mijë e 721 qytetarë nga gjithsej 8 mijë e 205 sa u testuan, kurse katër qytetarë e kanë humbur jetën.

Më 26 janar, Kosova e arriti rekordin e infektimeve brenda një dite, 4 mijë e 397 raste u identifikuan pozitivë nga gati 20 mijë teste të kryera në IKSHPK dhe laboratorët private. Megjithatë, as ky rekord i zi nuk ia kishte mbushur “mendjen” presidentes Osmani që t’i shkruante të paktën dy fjalë si urim për shërimin e tyre. /Demokracia.com/

Të ngjashme