Lajme
Mbi 100 të vdekur e 100 të tjerë të lënduar nga një tërmet në Nepal
Demokracia
08:06 | 04 Nëntor 2023

Share:

Më shumë se 100 persona kanë vdekur pas një tërmeti që ndodhi të premten në pjesën perëndimore të Nepalit.

Sipas Vëzhguesit Gjeologjik të ShBA-së, fuqia e tërmetit ishte 5,6 shkallë të Rihterit dhe epiqendra e tij ishte e cekët, që do të thotë se dridhja ndodhi më afër sipërfaqes së tokës.

Forcat e sigurisë janë dislokuar për të ofruar ndihmë rreth përpjekjeve të shpëtimit në distriktet e Jajarkot-it dhe Rukumit Perëndimor, 500 kilometra në perëndim të kryeqytetit Kathmandu, raporton televizioni BBC.

Dridhje të fuqishme u ndien që larg në kryeqytet dhe në disa qytete në Indi, përfshirë kryeqytetin e saj, New Delhi.

Zëdhënësi i ushtrisë tha se, përpos të vdekurve, mbi 100 persona të tjerë kanë pësuar lëndime. Spitali në Jajarkot është i mbushur me pacientë të lënduar.

Tri dridhje të tjera u ndien brenda një ore pas tërmetit dhe shumë njerëz e kaluan pjesën tjetër të natës në mjedis të hapur për shkak të frikës për tërmete të reja e dëmtim të mundshëm të shtëpive.

Kryeministri i Nepalit, Pushpa Kamal Dahal, arriti të shtunën në zonën e prekur nga tërmeti, pasi kishte shprehur “pikëllim të thellë” për humbjen e jetës së njerëzve dhe të pronave. Ai tha se i kishte urdhëruar agjencitë e sigurisë që menjëherë t’i nisnin operacionet e kërkim-shpëtimit.

Megjithatë, këto operacione po vështirësohen nga bllokimi i rrugëve nga rrëshqitja e dheut, e cila u nxit nga tërmeti.

Të ngjashme