Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës (FIG) ka ndëshkuar gjimnastin rus Iván Kuliak, duke e përjashtuar me një vit nga të gjitha garat e saj, për shkak se kishte shkronjën “Z”, simbol i ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrain, në fanelën e tij gjatë ceremoniesë së shpërndarjes së medaljeve në Kupën e Botës.
Një panel i komisionit disiplinor të FIG, vendosi se Kuliak “kishte shkelur statutet e organizatës, kodin e etikës, kodin e sjelljes dhe rregulloret teknike”, kur veshi fanelën me shkronjën “Z” marsin e kaluar në Doha.
“Kuliak nuk mund të marrë pjesë në asnjë ngjarje, apo konkurs të miratuar nga FIG dhe të organizuar nga një federatë anëtare e saj për një vit,”- thuhet në një deklaratë të federates ndërkombëtare të gjimnastikës.
Përveç kësaj, gjimnasti rus “është skualifikuar nga Kupa Botërore e FIG në Doha dhe duhet të kthejë medaljen e bronztë, si dhe çmimin prej 500 frangash zvicerane, ose ekuivalentin në dollarë amerikanë”,- shkruhet në njoftimin e bërë.
Përveç kësaj, ai duhet të paguajë edhe 2000 franga zvicerane, si kontribut për shpenzimet e procedurës së hapur kundër tij. Megjithatë, FIG shpalli të pafajshëm kreun e delegacionit rus, Valentina Rodionenko dhe trajnerin, Igor Kalabushkin.
Kuliak mund të apelojë vendimin brenda 21 ditëve, diçka që Rusia ka njoftuar tashmë se do ta bëjë. Në përputhje me sanksionet ndërkombëtare për sportin rus, gjimnastët mund të garonin vetëm pa simbolet e tyre kombëtare./Demokracia.com/