Lajme
Masterplani i kompleksit memorial “Adem Jashari”, dalin pamjet si do të duket
Demokracia
22:52 | 05 Gusht 2024

Share:

Gati tri dekada pas sulmit të forcave serbe kundër Familjes Jashari, sot është prezantuar propozimi fitues  në konkursin ndërkombëtar për zhvillimin e masterplanit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Projekti fitues parasheh që Kompleksi të shtrihet në një hapësirë 450 hektarëshe në fshatin Prekaz, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij hyrëse para prezantimit të projektit.

Këtë projekt, që u zvarrit me vite të tëra, Kurti e cilësoi një nga proceset më të rëndësishme dhe më delikate të vendit tonë.

“Unë kam vetëm një shtëpi dhe nuk kam ku të shkoj përtej saj”, citoi Kurti thënien e Shaban Jasharit, duke i cilësuar kullat e Jasharëve dhe Familjen Jashari shembull botëror të flijimit për liri.

Shtëpia në traditën tonë nuk nënkupton vetëm ndërtesën por bashkësinë e lidhur nëpërmjet farefisnisë dhe në një kuptim më të gjerë, shtëpia ka domethënien e vatrës apo atdheut”.

“E mu për këtë, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz është vendi më i rëndësishëm i kujtesës kombëtare e konceptuar si “Oda e kombit”. Vetëmohimi, sakrifica e vetëflijimi i familjes Jashari janë gurëthemel i clirimit të vendit tonë dhe për më tepër janë shembull botëror i flijimit për liri”

 

Ai ka thënë se synimi i këtij projekti është që kompleksi të marrë pamjen dhe trajtën e një peizazhi historik kompleks.

“Synimi sipëror i këtij projekti është që kur ai të ketë përfunduar, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” të ketë marrë pamjen dhe trajtën e një peizazhi historik kompleks, në të cilin vizitat do të jenë udhëtime në tërë historinë e familjes Jashari të Prekazit: nga gjenealogjia te strukturat e familjeve; nga tradita e rezistencës te kultura e patriotizmit; nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri dhe rrethimi i parë i familjes së Shaban Jasharit më 1991 te themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; nga aksionet e para të armatosura te vetë organizimet e grupeve të armatosura; nga betejat e para të UÇK-së në Klysyrë dhe te Gjashtë Lisat deri te rrethimi i dytë i 22 janarit 1998; dhe veçanërisht nga rrethimi i tretë dhe përballja epike e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 që shënoi vetë Epopenë e UÇK-së, ngjarjen historike si konkretësi universale, te trashëgimia e gjithë çfarë përfaqëson Adem Jashari, familja Jashari dhe historia e tyre deri sot, për çlirim dhe shtetndërtim”.

“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri e drejtësi, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e familjes Jashari”, ka shkruar Kurti .

Të ngjashme