Lajme
Mashtroi në Parlament se numri po bie – Prejse Arben Vitia është ministër, nga Kosova janë larguar 531 mjekë
Demokracia
17:05 | 18 Shtator 2024

Share:

“Në shtatë vitet e fundit, hera e parë këtë vit që trendi i ikjes së mjekëve nga Republika e Kosovës është ulur”, ishte deklarata e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, në seancën e Kuvendit të Kosovës më 12 shtator, por një realitet krejtësisht ndryshe në lidhje me largimin e mjekëve nga vendi e tregojnë shifrat e Odës së Mjekëve të Kosovës.

Sipas të dhënave që Oda e Mjekëve i ka dërguar Albanian Post-it, 124 mjekë janë larguar në vitin 2021, 163 në vitin 2022 dhe 167 në vitin 2023.

Teksa në vitin 2019, janë larguar 106 mjekë e në vitin 2020 janë larguar vetëm 75 mjekë – më së paku në shtatë vitet e fundit sepse edhe në vitin 2024, sipas të dhënave aktuale janë larguar 77 mjekë.

Vetëm gjatë kohës kur ministri Vitia ka qenë në krye të dikasterit të Shëndetësisë rezulton se janë larguar 531 profesionistë shëndetësorë.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, në një përgjigje për Albanian Post thotë se arsyet e largimit tashmë janë të njohura.

Sipas hulumtimeve që kanë bërë, Sejdiu thotë se “80 për qind e mjekëve i përmendin kushtet e punës, punësimin dhe pagën si arsye për t’u larguar, 15% përmendin arsye personale, duke përfshirë bashkimin familjar kurse 5% s’kanë deklaruar asnjë arsye”.

Për të ndikuar në uljen e këtij numri Sejdiu, përmend disa hapa konkret.

“Përmirësimi i kushteve të punës (modernizimi i infrastrukturës, rritja e pajisjeve mjekësore), rritja e pagave për të qenë konkurrues në rajon, rritja e mundësive të punësimit për mjekët e sapo diplomuar, zhvillimi i partneriteteve ndërkombëtare për zhvillim të mëtejshëm profesional”, thotë Sejdiu.

Shifrat e largimit të mjekëve që nga viti 2019 deri në vitin 2024.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe anëtari i Komisionit të Shëndetësisë, Bekim Haxhiu, thotë se shifrat aktuale që tregojnë për largimin e mjekëve janë alarmante.

Por, sipas tij, akoma më shqetësuese mbetet manipulimi me shifra nga ana e ministrit.

“Ministria e Shëndetësisë po udhëhiqet pa strategji në përgjithësi e pa strategji të veçantë për ruajtjen e kuadrit mjekësor në Kosovë. Aq sa po ikin profesionistë shëndetësorë nga Kosova, ne nuk mund të prodhojmë”.

Nga këndvështrimi i Haxhiut, situata do të shkojë vetëm duke u përkeqësuar.

“Kjo do të dërgojë buzë kolapsit të specialistëve të fushave të caktuara mjekësore dhe kjo do të dërgojë edhe në mbylljen e klinikave në mungesë të specialistëve, pasi që  është obligative që të funksionojë një klinikë me një numër të caktuar të specialistëve”, thotë Haxhiu.

Ngjashëm si statistikat e Odës së Mjekëve të Kosovës, edhe Haxhiu thotë se që nga viti 2021 janë larguar më së shumti mjekë.

Por, që deklaratat e ministrit Vitia kanë tendenca të tjera.

“Kjo çfarë mund të them për ministrin e Shëndetësisë dhe për këtë qeverisje se mashtrimin dhe gënjeshtrën e kanë objektiv. Puna e planifikimi nuk janë çështje që këta i kanë kryer dhe as nuk mund të përfundohen brenda këtyre 3-4 muajve. E vetmja mënyrë e tyre është që të merren me propaganda, me dezinformata duke u munduar t’i mashtrojnë njerëzit”.

Për shkak të kushteve të rënda dhe keqmenaxhimit, kuadri specialistik mjekësor, po vazhdon të ikë nga Kosova me qëllim për të kërkuar punë në vende të ndryshme të botës.

Problemi i ikjes së mjekëve nga Kosova, ka filluar që në vitin 2016.

Ndërsa, profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.

Planet qeveritare, sipas asaj që është prezantuar deri më tani, janë dhënë kryesisht si platforma të përgjithshme, ku nuk flitet për probleme specifike të shëndetësisë.

Dhe derisa qeveritarët ndërrohen, ikja e mjekëve të rinj mbanë ritmin e njëjtë.

Të ngjashme