Lajme
Mashtroi klientët me kanale, qindra ankesa e hetime ndaj IPKO-s  
Demokracia
10:04 | 11 Qershor 2022

Share:

Kompania IPKO, pa asnjë paralajmërim, dy muaj më parë ndryshoi rrjedhën e programeve televizive. Në fakt, IPKO e ka larguar komplet pakon e DIGITALB, pa asnjë shpjegim. Në vend të programeve që kanë tërhequr konsumatorët, ka futur disa të tjera turke e serbe. Pas këtij veprimi, qytetarët kanë dorëzuar qindra ankesa në MTI e kanë nisur edhe disa hetime. Në IPKO s’kanë dhënë asnjë shpjegim. 

Platforma televizive IPKO më nuk është e njëjta. Nga një 1 maji aty gjithçka ka ndryshuar. Kjo kompani është “pushtuar” nga dhjetëra kanale serbe të sportit e dhjetëra kanale tjera turke, shkruan Demokracia.com.

Aty më qytetarët e Kosovës nuk mund të shohin shumë kanale shqiptare, madje as ato sportive.

Disa nga ligat e futbollit më të shikuarat nga audienca në Kosovë, në IPKO janë duke u dhënë me komentim serbisht e jo më në shqip. Kjo pasi IPKO nuk ka më marrëveshje për transmetimin e kanaleve shqiptare SuperSport, sikurse as ato të Digitalb.

Si rrjedhojë, kanalet sportive me komentim shqip, platforma televizive në pronësi të Telekomit Slloven i ka zëvendësuar me dhjetëra kanale sportive nga Serbia, që japin ndeshjet sportive me komentim në serbisht.

Fjala është për kanalet “Arena Sport”, pjesë e MTS-it serb (Telekom Serbia), raporton Demokracia.com.

Ky veprim i ka irrituar më të madhe qytetarët e Kosovës, të cilët tash e dy muaj nuk kanë ndalur së ankuar.

Nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), kanë treguar për Demokracia.com se deri tash janë deponuar mbi 221 ankesa nga qytetarët.

“Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit – MINT, ka pranuar dhe përcjellur si të kompletuara dhe me dëshmi gjithsej: 221 ankesa. Ankesat në fjalë kanë të bëjnë kryesisht me pretendimet e konsumatorëve mbi shkeljen e kontratave ne lidhje me programet televizive, veçmas karshi reklamacionit dhe/apo respektivisht kontratave për kanalet televizive (‘ndryshimi i skemave programore karshi kanaleve televizive’). Për shkak te natyrës se tyre (shkelje kontrate), këto ankesa janë drejtuar kryesisht te autoriteti i Inspektoratit te Tregut. (pjesërisht te Autoriteti Rregullator për Komunikime Elektronike dhe Postare)”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Në MINT kanë treguar për Demokracia.com se ankesat janë duke u trajtuar dhe hetuar.

“Për aq sa kemi informacion ne DMK, aktualisht ankesat për ‘shkelje kontrate’ janë trajtuar dhe janë duke u trajtuar nga Inspektorati i Tregut bazuar ne dispozitat ligjore. Ankesat e natyrave sikurse ‘praktik mashtruese’, ‘shërbime jo cilësorë’ apo ‘faturim i padrejtë’ janë adresuar te Autoriteti Rregullator për Komunikime Elektronike dhe Postare, gjithsejtë 78 ankesa, nga te cilat: deri aktualisht janë trajtuar 25 ankesa, ndërsa ne proces janë ende 53 ankesa”.

Për të gjitha këto ankesa që janë drejtuar nga qytetarët e Kosovës do ta marrë një veprim konkret Gjykata Themelore.

“Për ankesat ‘shkelje kontrate’ e drejtuar ne formë te ‘padis kolektive’ nga autoriteti i Inspektoratit te Tregut, duhet pritur veprimet e Gjykatës Themelore. Për ankesat e natyrave tjera, sikurse ‘praktik mashtruese’, ‘shërbime jo cilësorë’ apo ‘faturim i padrejtë’, jemi ne pritje qe te adresohen nga Autoriteti Rregullator për Komunikime Elektronike dhe Postare, ku nga gjithsejtë 75 ankesa te adresuara përgjatë këtij viti te ky autoritet, deri aktualisht janë trajtuar 23 prej tyre (ne proces janë ende 53 ankesa sipas te dhënave te DMK)”.

Demokracia.com ka kërkuar një përgjigje lidhur me ankesat e qytetarëve dhe tek Autoriteti Rregullator për Komunikime Elektronike dhe Postare, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Heshtjen para pyetjeve të Demokracia.com e ka zgjedhur edhe kompania IPKO, nga e cila nuk është kthyer asnjë përgjigje deri më tash.

Ankesë publike ndaj kompanisë IPKO ka ushtruar edhe Agron Demi nga Instituti GAP, i cili ditë më parë u ankua se kjo kompani nuk është duke i respektuar kontratat me klientët.

Ai në një postim publik kishte shkruar se IPKO ka ndërprerë kanalet sportive që shfaqnin Premier Ligën, një muaj para se të përfundonte kampionati në fjalë, ndonëse këtë kontratë e kishte lidhur pikërisht shkaku i kësaj lige.

“Kontratën afër 300 euro që e kam mbajtë me zor deri të përfundoj Premier League, shkojnë ta ndërprejnë katër javë para se me përfundu kampionati, edhe ta mbushin listën me kanale në gjuhën turke e serbe”, ka shkruar Demi.

Gjithashtu, ai ka rikujtuar se kur një biznes merr licencë për operim, duhet t’i përmbahet kritereve ligjore që janë në fuqi.

“Ma e keqja, që është krijuar monopol dhe marrëveshje të fshehta, që nuk të kanë lënë hapësirë as me ndërru operatorin”.

Demi ka thënë se Qeveria duhet t’i ridrejtojë resurset në ato departamente që trajtojnë shqetësimet e qytetarëve, si në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Inspektoratin e Punës, Inspektoratin e Tregut e në Inspektoratin Shëndetësor.

Kurse, Selatin Kaçaniku, themelues e drejtues i organizatës  “Konsumatori”, ka thënë se çdo kompani e në këtë rast IPKO është e obliguar të jetë konform kontratës dhe Ligjit për Konsumatorin.

Sipas tij, IPKO është operator ekonomik i papërgjegjshëm ndaj palës së tij.

‘IPKO, dhe jo vetëm, është i obliguar, konform kontratës dhe Ligjit, që të komunikojë me palën, klientin, konsumatorin e ofertave që i ofron dhe nga i cili varet biznesi i IPKO-s. Programacioni i ofruar / lista me emrat dhe numrin e operatorëve televiziv është bazë e kontratës. Kjo bazë nuk guxon të ndryshohet pa marrëveshje me konsumatorin dhe pa pëlqimin e tij. Çdo veprim ndryshe është abuzim me ligjin  dhe me të drejtat, interesat dhe dinjitetin e konsumatorit. IPKO, në këtë aspekt, dhe jo vetëm, është një recidivist, gjë që dëshmon se, është operator ekonomik totalisht i papërgjegjshëm i cili fare nuk e përfillë palën / klientin / konsumatorin e vet”.

Kaçaniku ka thënë se kompania IPKO do të humb shumë abonentë.

“IPKO do të mund të humbë shumë, jo vetëm me numrin e abonentëve por edhe me zhdëmtim. Do të kërkojmë anulimin e kontratave dhe kthimin e shumës së tërësishme të parave, kamatën dhe barrën e indinjimit. IPKO-n e pret edhe një rast tjetër që është iniciuar nga Avokati i popullit për një rast tjetër të ngjashëm me këtë. Kësaj radhe do të kërkojmë edhe përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë komerciale ndërkombëtare edhe për pronarin kryesor të IPKO-s Telekom Slovenija; Për veprimet / praktikat monopoliste / karteli do të kërkojmë edhe mendimin / veprimin e Agjencionit të konkurrencës së lirë; Për mospërfilljen e obligimit si operator kabllovik do t i drejtohemi edhe ARKEP-it, KMK-së”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Para disa vitesh, depërtimi i kanaleve serbe të sportit në disa platforma televizive në Kosovë ishte ngritur si shqetësim edhe në Kuvendin e Kosovës, në Komisionin Parlamentar për Media.

Nga ana tjetër, Telekomi Serb, pjesë e të cilit janë kanalet “Arena Sport” që tashmë kanë depërtuar në platformën televizive IPKO në Kosovë, në vitin 2020 ishte përmendur si blerës potencial i këtij operatori të telekomunikimeve. Por, autoritetet kosovare kishin ndërhyrë duke e bllokuar mundësinë që MTS serb të blejë aksionet e IPKO-s.

“Operatori i telefonisë mobile IPKO, nuk mund t’i shitet Telekomit të Serbisë – (TelekomSrbija), dhe po ashtu nuk mund të bëhet as bartja e të drejtës dhe detyrimeve, pa pëlqimin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP)”.

Operatori IPKO është në pronësi të Telekomit Slloven dhe operon në Kosovë nga viti 2003. Kompania amë e saj, muaj më parë, në Slloveni ishte përfshirë në një skandal të madh financiar dhe dyshimesh për keqpërdorim të parasë publike atje. Në këtë aferë, dyshohet se pati rol të rëndësishëm edhe kryeshefi i aktual i IPKO-s, Tomaz Seljak, ndaj të cilit është paralajmëruar kallëzim penal në Slloveni.

Kompania IPKO në Kosovë operon që nga viti 2003, derisa si biznes është krijuar në vitin 1999.

Sipas një prezantimi që IPKO ia bënë vetvetes në web, krijohet përshtypja se kjo kompania është “më e mira në botë”.

“IPKO Telekomunikimet, njihet si kompania e telekomunikacionit me rritjen më të shpejtë në Evropë. E themeluar më 1999, IPKO është zhvilluar suksesshëm – nga ofruesi i parë i internetit në mbarë Kosovën – në një ndërmarrje moderne, që ofron spektër të plotë shërbimesh dhe përmbajtjesh të integruara në komunikime mobile, telefoni fikse, televizion kabllor digjital, internet dhe media. IPKO njihet si një kompani moderne me shërbime të avancuara dhe ka një reputacion të një kompanie që kujdeset për klientët e saj. Si në sektorin shtëpiak, ashtu edhe në atë të bizneseve, inovacioni ynë shtrihet në të gjitha produktet dhe shërbimet, të cilat janë të disenjuara me kujdes që t’u përshtaten nevojave të ndryshme të konsumatorëve tanë”, thuhet në këtë prezantim.

Tutje aty tregohet sesi gjatë një viti operimi, IPKO ka arritur të mbulojë me rrjetin e telefonisë mobile më shumë se 99.7 për qind të popullatës së vendit./Demokracia.com/

Të ngjashme