Lajme
Mashtrimi i madh i Vuçiqit, Serbia i njeh dokumentet që nga vitit 2011
Demokracia
12:06 | 27 Gusht 2022

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sot tentoi të paraqitet si palë konstruktive në dialog, duke thënë se Serbia do ta pranojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për dokumente.

Por, ai ka vënë një kusht për këtë, shkruan Demokracia.com.

Vuçiq ka theksuar se Serbia është e gatshme të pranojë dokumentet e Kosovës, por duhet që në pikat kufitare të shkruhet në një letër që Serbia nuk e njeh Kosovën.

“Ne jemi të gatshëm të pranojmë dokumentet e tyre, por le të nxjerrin një deklaratë që do të jepej në pikat kufitare, ku do të thuhej: Pajisja me karta identiteti nga Prishtina bëhet vetëm për arsye praktike, për të mundësuar lirinë e lëvizjes dhe as nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme nga Kosova dhe as nuk e cenon sovranitetin”, deklaroi Vuçiq gjatë një konference.

Por, njohja e dokumenteve nga Serbia ishte bërë më 2 korrik 2011, shkruan Demokracia.com.

Atëkohë në Bruksel ishte arritur marrëveshja për lirinë e lëvizjes. Marrëveshja kishte hyrë në fuqi që nga 26 dhjetori i vitit 2011.

Ndonëse nuk zgjidhi të gjitha problemet, megjithatë u sigurua një rregullim në fushën e lirisë së lëvizjes dhe përfundimisht u zgjidhën disa nga problemet më të mëdha. Më këtë marrëveshje të arritur në Bruksel mes dy shteteve, për herë të parë pas shumë vitesh shtetasve të Republikës se Kosovës u mundësohej lëvizja e lirë drejt Serbisë, duke shfrytëzuar dokumentet e Republikës së Kosovës.

Kjo marrëveshje ishte bazuar në parimin e reciprocitetit dhe angazhimeve për krijim të lehtësirave në qarkullim të lirë sipas standardeve të BE-së, dhe se qytetarët mund të kalonin kufirin mes shteteve përmes lejeve të njoftimit të shoqëruar me një letër për hyrje – dalje, të cilën e japin autoritetet kufitare të të dyja shteteve.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes u nënshkrua nga Beogradi dhe Prishtina në korrik të vitit 2011, si pjesë e një dialogu teknik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe kishte për qëllim zgjidhjen e çështjeve të lirisë së lëvizjes, respektivisht çështjen e kalimit nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Marrëveshja përcakton një sërë rregullash mbi dokumentet personale (siç janë letërnjoftimet), patentë shoferët, si dhe targat e mjeteve motorike dhe sigurimin e tyre.

LEXO EDHE: 

Statistika ekskluzive| Mbi 70 për qind e qytetarëve serbë në veri e pranojnë shtetin e Kosovës, 52 mijë janë pajisur me letërnjoftime kosovare

Kjo marrëveshje u mundësoi qytetarëve të Kosovës dhe qytetarëve të Serbisë të lëvizin lirë brenda territorit të Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja mundësoi lëvizjen e lirë për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga lloji i dokumentit që posedojnë. Megjithatë, situata me patentë shoferë, si dhe me dokumentet personale, mbetet e ndërlikuar.

Patentë shoferët e lëshuara për serbët e Kosovës nga ana e Serbisë nuk njihen nga ana e Kosovës. Problem shtesë u shfaq me çështjen e targave. Përderisa Kosova ka ndaluar përdorimin e targave serbe me shkurtesat e komunave dhe qyteteve në Kosovë, Serbia njeh vetëm targat KS (të cilat mbajnë neutralitetin e statusit), por jo edhe RKS (që përfaqësojnë Republikën e Kosovës).

Marrëveshja për patentë shoferë dhe targa ka një rëndësi të madhe, pasi u ka mundësuar shtetasve të të dyja palëve, pavarësisht rrethanave, të jenë në gjendje t’i përdorin automjetet e tyre dhe t’i ngasin ato në mënyrë adekuate. Qëllimi i marrëveshjes ishte të mundësohej lëvizja e lirë e automjeteve, edhe pse kjo u bë pjesë e problemit, duke pasur parasysh pozicionet e ndryshme që varen nga lloji i dokumenteve dhe targave që individët posedojnë. /Demokracia.com/

Të ngjashme