Lajme
Mashtrimi brutal i Kryenumëratores së Kosovës
Demokracia
11:33 | 31 Tetor 2023

Share:

Një muaj i rregullt pune për një polic është 40 orë në javë dhe për këtë angazhim paguhet 525 euro. Kjo është rroga bazë për të gjithë Policët e Kosovës, edhe për ata të njësiteve elitë.

Albin Kurti, në një konferencë të çuditshme për media, i pyetur për pakënaqësitë e Njësiteve Speciale dhe paralajmërimin e tyre për protesta për shkak të kushteve të punës e të ardhurave, përmes një matematike gjysmake, tha se nuk ka vend për ankesa, duke deklaruar se policët po paguhen shumë mirë.

Aq mirë, tha ai, saqë e kanë zënë edhe presidenten e shtetit me pagë, e cila sipas koeficientit gëzon privilegjin e pagës më të madhe në shtet për një post publik.

“Në qershor dhe korrik janë afër 700 policë që kanë marrë pagë, të ardhura kumulative, më të lartë se presidentja e republikës. Ndërkaq mesatarja e të ardhurave të policëve për 203 sosh gjatë këtij viti është më e lartë se e presidentes. Duhet ta kuptoni se pavarësisht se ndonjë zëri apo zhurme faktet flasin ndryshe”, deklaroi Kurti.

Është e vërtetë që faktet flasin ndryshe, por ndryshe nga ajo që prezantoi Kryeministri i Kosovës.

Që një polic i Kosovës të marrë rrogën mujore të presidentes atij i duhen më shumë se tre muaj e gjysmë punë që të kalojë nga 525 euro në 1890 euro.

Atëherë si u bë që disa dolën më lartë me pagë se presidentja brenda muajit?

Nëse një javë pune është 40 orë e një muaj pune është 160 orë, atëherë një polic duhet të punojë plotë 576 orë vetëm për ta zënë presidenten e cila pagën e merr për orar të rregullt pune.

Për ta kaluar presidenten atyre u duhen të kapin brenda muajit një shifër jo normale orësh prej 592 orësh në total, apo 432 orë pune shtesë.

Kurti i tregoi të ardhurat e barabarta, por asnjëherë duke shtuar se kjo barazi në të ardhura mund të arrihet vetëm nga një pabarazi e madhe në volumin e punës.

Pabarazi që rritet tutje në përmasa tejet të mëdha kur pagës së presidentes prej 1890 eurosh i shtohen shtesat për shpenzime edhe mesatarisht (sipas të dhënave të vetë presidencës) 28 mijë e 400 euro në muaj.

Kjo s’është e tëra.

Presidentja e Kosovës, njëjtë si çdo zyrtar tjetër, përveç shpenzimeve ka edhe mëditje për çdo udhëtim jashtë vendit. Pagesa për mëditje fillon nga dita e nisjes e deri te dita e rikthimit në Kosovë. Varësisht nga vendi se ku udhëtohet, variron edhe shifra e parave që merr presidentja.

Kështu, të ardhurat mujore të presidentes janë aq të larta saqë një polic i Kosovës mund të punojë 24 orë në shtat ditë të javës dhe e ka të pamundur të kap pagën e presidentes, apo kryeministrit të Kosovës, të cilit nuk i dallon paga shumë nga ajo e presidentes.

Kurti i di këto fakte, por ai vendosi t’i manipulojë numrat, sepse Policët e Kosovës – Njësia Speciale Intervenuese – kanë paralajmëruar protesta me 1 nëntor, të mërkurën, për shkak të pakënaqësive të mëdha me pagat e kushtet e punës në përgjithësi.

Përkundër inflacionit të madh, Qeveria e Kosovës me ligjin e ri për paga jo vetëm që s’ua ka rritur të ardhurat policëve, por ua ka zvogëluar ndjeshëm ato.

Për shembull, për Njësitet Speciale shtesa për rrezikshmëri në punë ka qenë 215 euro, ndërsa ajo është ulur tash në 150 euro. Kurse shtesa prej 100 eurove për “punë të veçantë” për njësitet elitare është hequr krejtësisht. Më e rënda, Qeveria nuk ua ka paguar krejtësisht as shtesën me ulje.

Siç i kanë treguar Albanian Post-it shumë policë nga këto njësi, kur u dolën shtesat përveç se me zbritje, ato u dolën veç për një pjesë të orëve shtesë. Një numër i madh i orëve shtesë kanë mbetur të papaguara.

Ish-Drejtori i Policisë së Kosovë, tani deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj.Për ish-drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, është krejtësisht e pakuptueshme, se si kryeministri bën ngatërresë të tillë kur shtesat i prezanton si pagë, e orët shtesë s’i përmend fare.

“Policët e Njësiteve Speciale kanë qenë të angazhuar këtë kohë me nga 24 orë, kjo s’është pagë”, thotë Qalaj për Albanian Post.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, e sqaron tutje atë që shkurtimisht e thotë Qalaj.

“Janë paguar orët shtesë, që nuk ka të bëjë me pagën bazë”, deklaron ai për Albanian Post, duke shtuar se fokusi duhet të vihet te fakti se “orët shtesë e kanë tejkaluar limitin e normales” e jo te shifra e mjeteve financiare shtesë.

“Policët që kanë qenë të angazhuar me plane operative, kanë marrë mjete financiare, jo pagë. Paga në Policinë e Kosovës është me koeficient sipas kategorizimit, është e njëjtë për të gjithë Policinë”, deklaron Zeqiri.

“Nuk ka pagë të policit që e tejkalon pagën e presidentes”, shton.

Po shtesat e reja të Qeverisë?

Pas muajve të tërë lënë pa shtesa që i merrnin dikur, Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës prezantoi shtesat e reja, të cilat rezultuan të jenë më të vogla se ato parapraket.

Përveç se më të vogla, edhe më të pa organizuara ku vërehet se kategori të ndryshme të policisë, me nivele krejt të ndryshme të rrezikut do të marrin shifër të njëjtë shtesash prej 150 euro, derisa disa njësi të tjera të policisë do paguhen edhe më pak për punët shtesë – vetëm 120 euro.

Foto: Policia e Kosovës.

Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtaret e hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj, ekipet reaguese dhe patrullat që njëherazi përbejnë edhe numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse Policët e Kosovës që angazhohen për sigurimin e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve do t’u ndahen nga 50 dhe respektivisht 45 euro shtesë të rrezikshmërisë.

Më 3 tetor, sindikata e Policisë së Kosovës, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës peticionin me 10 kërkesa.

Policia e Kosovës asnjëherë tjetër nuk ka qenë kaq e ekspozuar ndaj rrezikut dhe asnjëherë tjetër për një kohë kaq të gjatë siç është tani me situatën në Veri, por është hera e parë tash e 15 vjet që shteti ka vendosur t’ua ndalë shtesat për rrezikshmëri në punë.

Që nga përfundimi i luftës së fundit, 20 zyrtarë të Policisë kanë humbur jetën në detyrë.

Rasti i parë është regjistruar në shtator të vitit 2001.

Së fundmi, një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhet prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Me legjislacionin në fuqi, e drejta e kompensimit nga buxheti i shtetit u takon dy kategorive: familjarëve të zyrtarëve policorë që vdesin në detyrë dhe atyre në kryerje të detyrës.

Të ngjashme