Lajme
MASHTI kritikohet për tenderin njëburimor për pastrimin e kolegjit publik
Demokracia
23:09 | 16 Qershor 2024

Share:

Për të pastruar kampuset e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit Mitrovicë, IBC-M, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka dhënë tender me procedurë e negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Rreth 25 mijë euro është vlera që ka ndarë Ministria për kompaninë “Mobile Sanitary Service” për të pastruar dy kampuset e kolegjit publik për gjashtë muaj.

Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, tenderët me procedurë të negociuar pa publikim të kontratës, mund të iniciohen për raste të emergjencave ekstreme.

“Për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues”, shkruan në nenin e 35 të Ligjit për prokurim.

Në organizatën INPO që i monitoron procedurat e prokurimit, kanë kritikuar Ministrinë e Arsimit për procedimin e tenderit një burimor.

Valmir Ilazi hulumtues në organizatën INPO, ka thënë se shërbimet e pastrimit nuk hynë te rastet e emergjencave ekstreme.

Sipas tij, kjo kontratë i kushton shtetit më shtrenjtë si dhe eliminon konkurrencën, duke lënë hapësirë për favorizime ndaj kompanive të caktuara.

“Si mund të quhet një tender me emergjencë ekstreme nëse ai është fillimisht i planifikuar në planin e prokurimit për t’u prokuruar pastaj”, ka thënë Ilazi. “Nga ajo që e pamë është thirr për tender vetëm një kompani, ndërsa me këtë autoriteti kontraktues nuk e ka ofertuar te autoritetet e tjera kontraktuese, pra ka kufizuar konkurrencën. Në momentin që e fton vetëm një kompani ne e dimë që autoriteti kontraktues do të marr çmime shumë më të shtrenjta sesa që do t’i merrte sipas procedurës së hapur dhe sipas procedurës së rregullt”, ka shtuar ai, shkruan Koha.

Për këtë çështje në Ministri të Arsimit nuk kanë kthyer përgjigje tash e një javë. Meqë kontrata ka shkuar me procedurë të negociuar, aty nuk përshkruhen arsyet e hapjes së tenderit. Aty shkruan vetëm se pastrimi i dy kampuseve është me urgjencë. “Procedura e negociuar për një periudhë 6 mujore duke pasë parasysh urgjencën për shërbimet e pastrimit në të dy kampuset e IBC-Msë”, shkruan në emërtimin e tenderit.

Kolegji IBC-M posedon dy objekte, një në Mitrovicën e Jugut dhe një në Mitrovicën Veriore.

Ky kolegj, fillimisht ishte themeluar në vitin 2010 si një fondacion i regjistruar ndërkombëtar joprofitabil i udhëhequr nën drejtimin e organizatës joqeveritare holandeze SPARK. Ndërsa, është kthyer në kolegj publik vitin e kaluar me vendim të Qeverisë.

Të ngjashme