Lajme
MASH ndanë çmimin vjetor ‘Shaban Jashari’ për mësimdhënësit e dalluar
Demokracia
16:42 | 08 Mars 2021

Share:

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka organizuar ceremoninë tradicionale të ndarjes së çmimit “Shaban Jashari”.

MASH-ti ka ndarë çmimin tradicional “Shaban Jashari”, i cili i jepet mësimdhënësit të dalluar për kontribut në fushën e arsimit dhe edukimit, shkruan Demokracia.com

Këtë vit, fituese e çmimit ishte mësimdhënësja e Shkollës së Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”, Shemsije Zeqiri nga Mitrovica në shenjë respekti për përkushtimin në punë.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikatë për medie nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Siç thuhet në komunikatë zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, me këtë rast ka thënë se, është nderë i veçantë që të jetë në mesin e mësimdhënësve të dalluar për të shënuar festën e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit.

“Nuk mund të gjendet një grup tjetër njerëzish më i përshtatshëm se sa mësimdhënësit e dalluar, për të shënuar këtë festë të rëndësishme. Ndër të tjera, ai tha se roli i mirëfilltë i mësimdhënësit në veçanti është kuptuar gjatë vitit të fundit dhe pas një viti të vështirë shkollor mund të thuhet se ja kemi dalë, përkundër sakrificave dhe vështirësive që kemi pasur”, citohet të ketë thënë Rexhaj.

Fituesja e çmimit “Shaban Jashari”, Shemsije Zeqiri, me këtë rast tha se, është e emocionuar pasi që ky është çmimi më i lartë për mësimdhënie.

“Do të vazhdojë punën me përkushtim të madh, ashtu siç ka punuar deri më tani”, citohet të ketë thënë Zeqiri.

Gjatë ditës së sotme është mbajtur edhe takimi i rregullt me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit. Në takim u diskutua për mbarëvajtjen e procesit mësimor në kohë pandemie dhe vazhdimin e mësimit sipas skenarit A, por edhe gatishmërinë për zhvillimin e planit mësimor sipas skenarëve B dhe C./Demokracia.com/

Të ngjashme