Lajme
MASH kërkon të mos mbahet procesi mësimor, disa shkolla në Prishtinë vijojnë mësimin online të hënën
Demokracia
12:44 | 12 Shkurt 2021

Share:

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit që të mos mbahet procesi mësimor të hënën më 15 shkurt, një ditë pas zgjedhjeve.

Sidoqoftë, nga Komuna e Prishtinës ende janë të paqartë lidhur me këtë kërkesë dhe disa shkolla do të vijojnë mësimin online.

MASH dje përmes një njoftimi për media bëri të ditur se të hënën pritet të mos zhvillohet procesi mësimor dhe se orët e humbura do të zëvendësohen në një ditë më të përshtatshme.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën me dije se dita e humbur e mësimit do të zëvendësohet dhe DKA-të në bashkëpunim me shkollat duhet të vendosin për ditën e përshtatshme që mund të zëvendësohen orët e humbura”, u bë e ditur në njoftimin e MASH.

Lidhur me këtë, Demokracia.com ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit. Asistentja e Sekretarit, Xheneta Bajrami konfirmoi se nuk ka ndonjë propozim konkret për formën e procesit mësimor të hënën.

‘’E hëna do të jetë ditë pushimi për arsimin dhe nuk do të mbahet as mësim online, por që do të zëvendësohet me një ditë tjetër që do të caktohet nga DKA’’, tha Bajrami për Demokracia.com

Megjithatë, Demokracia.com merr vesh se në disa shkolla në Prishtinë procesi mësimor do të mbahet të hënën në formën online.

Nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës për Demokracia.com kanë thënë se ende nuk ka një vendim zyrtar, dhe pritet që gjatë ditës së sotme të dilet me një vendim konkret.

‘’Ende nuk ka vendim zyrtar për të hënën, po që gjatë ditës së sotme mund të dalim me një njoftim dhe të sqarojmë nëse në ditën e hënë do të mbahet mësim online apo jo’’, kanë bërë të ditur nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë për Demokracia.com.

Kujtojmë se të dielën më 14 shkurt në vendin tonë pritet që të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Procesi zgjedhor zhvillohet në shumë shkolla të Kosovës dhe për këtë arsye është e nevojshme që të bëhet dezinfektimi i objekteve shkollore, në mënyrë që nxënësit, mësimdhënësit dhe pjesa tjetër e stafit të mbrohen nga COVID-19./Demokracia.com

Të ngjashme