Lajme
MASH dhe DKA-të thonë se janë të gatshëm për fillimin e mësimit të hënën
Demokracia
13:20 | 16 Janar 2021

Share:

Ministria e Arsimit dhe Shkencës bashkë me Drejtoritë Komunale të Arsimit deklarojnë se janë bërë të gjitha përgatitjet që të hënën të nisë gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2020/2021. Përfaqësues të këtyre institucioneve thonë se është bërë dezinfektimi i objekteve shkollore dhe pajisja me mjete mbrojtëse nga COVID-19.

Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Diellza Kukaj ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet që të hënën të fillojë gjysmëvjetori i dytë.

“Plani i ministrisë është që mësimi të filloj me prezencë në shkollë, por tre skenarët së bashku me udhëzuesin e përgjithshëm do të jenë prapë në dispozicion të shkollave për organizimin e mësimit në kushte pandemie ashtu siç ka qenë organizimi i mësimit në gjysmëvjetorin e parë. Ashtu siç është planifikuar periudha e pushimit është duke u shfrytëzuar për dezinfektim dhe përgatitje të shkollave përmes shpërndarjes së materialeve mbrojtëse dhe higjienike ndërkaq, MASh ka filluar procedurat për përkrahje të shkollave në ofrim të kushteve të sigurta për mbajtje të mësimit me presence.” tha ajo.

E kënaqur me përgatitjet që janë bërë në shkolla që të fillojë procesi mësimor është edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Kryetari i kësaj sindikate Rrahman Jasharaj, thotë se nga raportet që ata kanë nga terreni tregojnë që është bërë një punë e mirë në dezinfektimin dhe furnizimin e shkollave me materiale mbrojtëse nga COVID-19.

“Kemi informacione se janë bërë përpjekje dhe po them DKA-të kanë pasur kohë goxha të gjatë 1 muaj, shumicën e rasteve kemi informacione se janë bërë këto përgatitje, ndoshta një informacion më të mirë do ta kemi nga e hëna kur i tërë stafi kthehet në shkolla dhe kolegët tanë do të jenë nga afër do t’i shohin gjërat. Po them, përshtypja e parë është se shkollat brenda mundësive të veta kanë bërë përgatitje në mënyrë që periudha e dytë apo gjysmëvjetori i dytë të jetë sa më i sigurt për nxënësit dhe për personelin arsimor.” thotë ai.

Jasharaj ka shtuar se kërkesa e tyre që çdo punëtorit të arsimit t’i paguhen nga 100 euro shtesë në muaj me arsyetimin se e janë të rrezikuar nga COVID-19 gjatë punës së tyre, nuk do ta pengojë fillimin e procesit mësimor, por nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e qeverisë dhe ministrisë atëherë do të marrin veprime sindikale.

“Nëse ata heshtin atëherë gjatë javës së parë do të mbledhim nënshkrimet.” u shpreh ai.

Ndërsa Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Diellza Kukaj, ka deklaruar se kanë dërguar kërkesë tek qeveria për fonde shtesë, por që thotë se ende nuk kanë marrë një përgjigje.

“Ne jemi duke bërë përpjekje të adresojmë kërkesën e SBAShK-ut, megjithatë mundësit financiare karshi kërkesave ndryshojnë sidomos pas gjendjes ekonomike të krijuar nga pandemia COVID- 19 dhe shkurtimeve buxhetore. Ne vlerësojmë jashtëzakonisht shumë punën dhe angazhimin e mësimdhënësve në rrethanat me pandemi, dhe për këtë MASh ka drejtuar një kërkesë tek qeveria për fonde shtesë, përveç mjeteve e që janë ndarë për mësimdhënësit me master planin e hartuar nga MASh, dhe jemi në pritje të përgjigjes.” thotë ajo.

Edhe Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës Shpresa Shala, në një përgjigje me shkrim thotë se shkollat e kryeqytetit janë dezinfektuar dhe janë pajisur me mjete mbrojtëse nga COVID-19.

“DKA i ka bërë të gjitha përgatitjet në institucionet edukativo-arsimor, duke bërë pastrimin gjeneral, furnizimin e të gjitha shkollave me dezinfektues, dezinfektimin e objekteve shkollore dhe furnizimin me material higjenik reserve.” tha ajo.

Të gjitha përgatitjet janë bërë edhe në Komunën e Pjesë thotë Drjetori i Arsimit në këtë komunë Besim Avdimetaj.

“Çdo gjë është në rregull. Janë pajisur me dezinfektues, me maska me pajisje tjera që janë të nevojshme, lëndët djegëse janë të mjaftueshme në shkolla dhe presim që viti i ri apo gjysmëvjetori i dytë të fillojë pa asnjë problem.”u shpreh Avdimetaj.

Mësimi do të fillojë me prezencë fizike në objektet shkollore, por që Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se do të mbesin në funksion edhe skenarët e tjerë, që janë përdorur që nga fillimi i pandemisë./Demokracia.com

Të ngjashme