Lajme
Masat e reja: Ky është apeli i BIK-ut për besimtarët gjatë Ramazanit
Demokracia
23:50 | 11 Prill 2021

Share:

Bashkësia Islame e Kosovës ka deklaruar se ka vendosur ta reduktojë organizimin e iftareve dhe aktiviteteve tjera fetare, duke i kthyer në nivelin e ngushtë familjar, duke apeluar te qytetarët për ruajtjen e shëndetit të njëri – tjetrit.

Lidhur me këtë temë, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti tha se agjërimi do të na ndihmojë që të tejkalojmë krizën e pandemisë Covid-19.

“Kam bindjen e thellë se agjërimi do të na ndihmojë neve që ta tejkalojmë këtë krizë, duke na fuqizuar edhe mendjen, shpirtin dhe mendjen tonë në raport edhe me sëmundjet dhe problemet tjera që i kemi gjatë jetës.

Agjërimi sikurse ka për qëllim të ngritë njeriun në nivelet më të larta dhe të gjitha varësitë që i krijojmë ne gjatë jetës tonë edhe nga  dinamika e jetës që mund të kemi, qoftë edhe nga ushqimi, ai na liron nga këto varësi, dhe mendoj që edhe në aspektin mental do të ndikojë që të jemi më të relaksuar  gjatë këtij muaji të Ramazanit”, tha Sahiti për Demokracia.com.

Po ashtu Sahiti tha se Bashkësia Islame e Kosovës ka vendosur ta reduktojë organizimin e iftareve, duke e kthyer në nivelin e ngushtë familjar.

Ndërkaq apeli i BIK-ut për besimtarët gjatë muajit të Ramazanit është afërsia e qytetarëve me njëri-tjetrin, të jenë më të afërt dhe të devotshëm dhe ta ruajnë shëndetin e njëri – tjetrit.

“Ne si kryesi e Bashkësisë Islame e  Kosovës  kemi vendosur që edhe organizimin e iftareve ta reduktojmë dhe t’i kthejmë në nivele dhe në kapacitete familjare. Apelojmë tek të gjithë qytetarët që të jenë sa më afër njëri-tjetrit, ta shijojnë Ramazanin pranë gjirit familjar; të jenë më të afërt dhe të jenë më të devotshëm dhe më të kujdesshëm për njëri-tjetrin dhe për shëndetin e njëri-tjetrit”, tha Sahiti.

Sahiti ka uruar të gjithë qytetarët që muajin e Shenjtë të Ramazanit ta kalojnë sa më mirë dhe me paqe e solidaritet, duke shpresuar se nga ky muaj të dalim sa më të devotshëm, bujarë dhe solidarë me njëri-tjetrin.

Uroj që edhe këtë Ramazan ta kalojmë sa më mirë me paqe dhe solidaritet dhe shpresojmë që nga Ramazani të dalim më të fisnikëruar, më të devotshëm, më bujarë dhe më solidarë me njëri-tjetrin./Demokracia/

Të ngjashme