Lajme
Masat, dialogu, normalizimi i raporteve me Serbinë – Çfarë mesazhe solli Costa në Prishtinë?
Demokracia
09:44 | 15 Maj 2025

Share:

Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa gjatë së enjtes vizitoi Kosovën ku u takua me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Pas takimit me të parën e shtetit të Kosovës, ai tha se është qenësore që të shënohet progres i prekshëm në dialogun Kosovë – Serbi.

Costa tha se përparimi në dialogun me Serbinë është në dobi të rrugëtimit evropian të Kosovës.

“Vendi i Kosovës është në familjen e Bashkimit Evropian por po ashtu kërkon që të përmbushni zotimet tuaja”, tha Costa, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai i tha Osmanit se ka punuar shumë në forcimin e demokracisë në vend, por dha mesazh edhe për partitë politike për arritjen e një konsensusi për themelimin e institicuoneve.

“Keni punuar shumë për ta forcuar demokracinë tuaj dhe jam i sigurt se do të vazhdoni në të njëjtën mënyrë, kjo përfshin ndërtimin e konsensusit mes forcave politike”, tha ai.

Zyrtari i lartë evropian ka folur edhe për mundësinë e heqjes së masave ndaj Kosovës të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij, masat janë të lidhur me nevojën për shtensonimin e situatës në rajon por edhe në veri të Kosovës.

“Ajo që dua është që sa më parë të ketë shtensionim dhe më pas të mund të ecim përpara dhe t’I largojmë këto masa”.

“Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë një prirje të re por të jenë përjashtim që konfirmon rregullin se ju jeni të angazhuar në plotni në këtë rrugë evropiane për ta shtensionuar situatën dhe sic tha Osmani dje, për t’u angazhuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Costa, njofton Klankosova.tv.

Ai foli edhe për përfaqësuesin e ri të BE-së në krye të dialogut, Peter Sorensenit, ku tha se dialogu është element kyç në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.

“Së fundmi kemi emëruar një përfaqësues të ri për të lehtësuar këtë dialog, dhe ky dialog është një element thelbësor në këtë rrugëtim të përbashkët evropian për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian”.

Presidenti i Këshillit Evropian,  deklaroi poashtu se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është mundësi e madhe për Kosovën.

Ai tha se është thelbësore që të vazhdohet puna për zbatimin e agjendës së reformave, në mënyrë që Kosova të përfitojë plotësisht nga ky plan.

“Nuk kam fjalë ta përshkruaj sa duhet se sa i rëndësishëm është zgjerimi për Bashkimin Evropian, por besoj edhe për vendin tuaj. Ai është një investim në paqe dhe stabilitet, i cili sjell përfitime të konsiderueshme për qytetarët tuaj”.

“Siç e dini, është gjithashtu jetike që të arrihet përparim i vërtetë dhe i prekshëm në këtë dialog dhe të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të ishte në dobi të rrugës suaj evropiane dhe, në fund të fundit, për jetën e qytetarëve të Kosovës”.

“Me përfaqësuesin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, të emëruar këtë vit, është koha të shfrytëzohet kjo mundësi dhe të ecet përpara. Keni punuar shumë për të forcuar demokracinë tuaj gjatë viteve të fundit dhe jam i bindur se do të vazhdoni në të njëjtin drejtim. Kjo gjithashtu përfshin ndërtimin e konsensusit ndërmjet forcave të ndryshme politike”, tha ai, njofton Klankosova.tv.

Costa gjatë konferencës për media që pati me Osmanin theksoi poashtu se gjithçka varet nga ndërtimi i besimit, që Kosova të jetë partnere e besueshme me fqinjët dhe me partnerët e saj në Bashkimin Evropian.

Në ndërkohë për takimin që pati me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti u deklaruan nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, njofton Klankosova.tv.

Në një postim në Facebook, kjo zyrë thotë se presidenti Costa, i ka kërkuar Kurtit, angazhim në normalizim përmes një dialogu konstruktiv në raport të bisedimeve Kosovë-Serbi, transmeton klankosova.tv.

Të ngjashme