Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha sot se administrata e presidentit Joe Biden mbështet protestuesit në Kinë, të cilët janë të pakënaqur me masat anti-COVID dhe njoftoi se ai do të merret me këtë çështje kur të vizitojë Kinën në fillim të vitit të ardhshëm.
“Sigurisht që ne i mbështesim protestat. Ne mbështesim të drejtën e të gjithë njerëzve për të protestuar në mënyrë paqësore, për të shprehur pikëpamjet e tyre, për të shprehur zhgënjimet e tyre, pavarësisht nëse është Kina, qoftë Irani apo ndonjë vend tjetër”, tha Blinken për CNN, transmeton Klankosova.tv.
Demonstratat në Kinë u ndezën nga një zjarr vdekjeprurës që shpërtheu më 24 nëntor në Urumqi, kryeqyteti i rajonit Xinjiang në perëndim të Kinës.
Të paktën 10 persona humbën jetën dhe nëntë të tjerë u plagosën nga zjarri që përfshiu godinën e banimit, i cili shkaktoi zemërim dhe indinjatë të publikut, pasi videot e incidentit treguan se masat antiCOVID penguan zjarrfikësit të ndërhynin në kohë dhe të arrinin te viktimat.