Lajme
Ekskluzive: Masakra e Raçakut përshkruhet detajisht në raportet ndërkombëtare, por ende asnjë i dënuar
Demokracia
19:47 | 16 Janar 2021

Share:

Më 15 janar 1999, në fshatin Raçak të komunës së Shtimes, 45 shqiptarë, civilë, janë vrarë nga forcat serbe. Ndër viktimat ishte edhe një grua dhe një djalë i ri.

Atë ditë, pjesëtarët e Misionit Verifikues në Kosovë (KVM) nuk ishin lejuar të hynin në Raçak apo fshatrat e tjera të Shtimes, ku kishte pasur luftime. Ishin lejuar të hynin vetëm më 16 janar 1999 dhe menjëherë kishin filluar të grumbullojnë fakte për atë se çfarë kishte ndodhur në Raçak.

Kreu i Komisionit Verifikues, ish-diplomati amerikan, Ambasadori William Walker, i cili kah mesdita e datës 16 janar kishte arritur në vendin e ngjarjes së bashku me dy zëvendësit e tij, nuk kishte hezituar që ta quajë “masakër” atë që kishte dëshmuar në Raçak.

Rasti kishte marrë vëmendje të konsiderueshme ndërkombëtare dhe menjëherë brenda atij muaji në Kosovë kishte arritur edhe një ekip hetuesish mjeko-ligjorë nga Finlanda, të cilët kishin kryer autopsinë e 20 viktimave. Por, detyra e tyre ishte vetëm të vërtetonin shkaqet e vdekjes së viktimave e jo edhe rrethanat tjera se si ishte shkaktuar vdekja.

Demokracia.com posedon raportet e përpiluara nga Misioni Verifikues në Kosovë si dhe nga mjeko-ligjorët finlandezë, e madje edhe deklaratën e Dr. Helena Ranta, kryesuese e hetimeve forenzike në Kleçkë, Raçak dhe Voljakë. Në këto raporte jepen të dhëna të detajuara për vrasjet e civilëve në Raçak, në janar të vitit 1999, si dhe mësohen detaje tjera të hetimeve dhe raportimeve në Tribunalin e Hagës.

Në raportin e gjetjeve nga Misioni Verifikues në Kosovë thuhet se kanë gjetur fakte të “ndaljes arbitrare, vrasjeve pa gjyq si dhe të masakrimit të trupave të civilëve të paarmatosur nga ana e forcave të sigurisë të Republikës Federative të Jugosllavisë”.

Raporti i Komisionit Verifikues tutje thotë se ka kërkuar që Tribunali për Krime Lufte në ish-Jugosllavi të bëjë menjëherë hetime, por se qeveria e RFJ-së nuk është përgjigjur pozitivisht në këtë kërkesë.

Të gjeturat e Misionit Verifikues në Kosovë

Raporti i Misionit Verifikues në Kosovë shkruan se më 15 janar ka pranuar raportimet për përkeqësim serioz të gjendjes në jug dhe në perëndim të Shtimes. “Verifikuesit kanë parë shtëpi të digjeshin në Raçak dhe në Mollopolc”, thuhet në këtë raport.

“Patrullat e Misionit Verifikues kanë qenë dëshmitare se si tanket e Armatës Jugosllave dhe automjetet e blinduara kanë shtënë drejt në shtëpitë në Raçak dhe Mollopolc. Armata  Jugosllave dhe forcat policore nuk kanë lejuar patrullat e Misionit Verifikues në Kosovë që të hyjnë në këtë zone, por më vonë pasdite një patrullë e këtij Misioni ka arritur të hyjë në fshatin Raçak.

“Verifikuesit kanë parë një civil shqiptar të vdekur dhe pesë civilë të plagosur përfshirë një grua dhe një djalosh”, shkruhet në këtë raport dhe vazhdohet “Misioni Verifikues pranoi edhe raportime të pakonfirmuara për vdekje tjera. Banorët e Raçakut pohonin se burrat ishin ndarë nga gratë dhe fëmijët dhe se 20 meshkuj ishin arrestuar dhe ishin marrë. Verifikuesit morën këto detaje dhe i evakuuan viktimat para se të binte nata”.

Raporti më pas vazhdon me detajet e datës 16 janar 1999 dhe tregon për viktimat e gjetura. Në kodrën prapa fshatit “23 meshkuj të moshave të ndryshme. Shumica të qëlluar nga afërsia e madhe, kryesisht të qëlluar përpara, prapa apo në majë të kokës. Fshatarët thanë se herën e fundit që i kanë parë të gjallë viktimat ka qenë kur ishin arrestuar nga policia”, thotë raporti.

Raporti përshkruan viktimat tjera dhe lokacionet ku janë gjetur. Shumica e përshkrimeve janë tepër të rënda për t’u përshkruar në një artikull gazetaresk. Por, ndër të tjera përmenden edhe “një grua e rritur e qëlluar në shpinë; një djalosh (12 vjeçar) i qëlluar në qafë; një mashkull adoleshent i qëlluar në abdomen”.

Deklarata e Shefit të Misionit

Ambasadori William Walker, shef i Misionit Verifikues në Kosovë raportohet të ketë arritur në Raçak në ora 13:00, i shoqëruar nga dy zëvendës-shefat e misionit e të cilët ishin takuar me banorët e mbijetuar që ishin kthyer në fshat dhe ende ishin duke mësuar për fatin e të afërmve të tyre.

“Nuk kishe forca të sigurisë. Kishe prezencë të madhe të pjesëtarëve të uniformuar të UÇK-së në fshat”, thuhet në raport.

“Ambasadori Walker u takua me përfaqësuesit e UÇK-së për zonën në një fshat të afërm. UÇK-ja shprehi frustrimin dhe zemërimin për sulmin. Ata shprehën dëshirën që të hakmerren por thanë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së i kishte urdhëruar që të tregohen të përmbajtur. Shefi i Misionit i luti që të mos ndërmarrin ndonjë aksion dhe të evitohet eskalimi i dhunës”, vazhdohet tutje në raport.

Pasi kishte parë vrasjet, Shefi i Misionit ka mbajtur një konferencë për shtyp në selinë qendrore të Misionit. Në deklaratën e tij ai përshkruante tmerrin dhe tronditjen që kishe ndjerë nga ajo që kishte parë.

Ndër të tjera, ambasadori Walker para gazetarëve ka thënë se “janë gjetur 45 trupa, përfshirë tri gra dhe një fëmijë. Të gjithë ishin me rroba civile; të gjithë dukeshin si banorë të thjeshtë të fshatit. Ndonëse nuk jam jurist, nga ajo që kam parë personalisht, nuk hezitoj të përshkruaj rastin si masakër, krim kundër njerëzimit. E as nuk hezitoj t’i akuzoj si përgjegjëse forcat qeveritare të sigurisë”.

Raporti tregon edhe për reagimin e Qeverisë së RFJ-së dhe tregon se Ministria e Brendshme (e Serbisë), e njohur me akronimin “MUP” kishte lëshuar një komunikatë në të cilën thoshte se “me 15 janar policia është përleshur me një grup terrorist në Raçak. Një polic është plagosur” dhe ka shtuar se “disa terroristë janë vrarë, shumica të veshur me uniforma që mbanin siglat e UÇK-së”. Komunikata thoshte edhe se më 16 janar Misioni Verifikues kishte penguar gjyqtarin hetues që të shkojë në vendin e ngjarjes.

Kërkohej hetim i menjëhershëm

Në konkluzione, raporti thotë se veprimet e “Armatës Jugosllave” dhe të policisë serbe përbënin shkelje të së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare dhe se ishin shkelje e qartë e Marrëveshjes së 16 Tetorit dhe të Rezolutave 1199 dhe 1203 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Marrëveshja e 16 Tetorit ishte marrëveshje e nënshkruar më 16 tetor 1998 në Beograd, në mes asaj që quhej Republika Federative e Jugosllavisë dhe OSBE-së për themelimin e Misionit Verifikues në Kosovë.

Në aneksin e raportit përmenden edhe një herë shkeljet dhe krimet e dëshmuara; ligjet, konventat dhe rezolutat që janë shkelur si dhe jepen rekomandime për hapat që duhet ndërmarrë.

Në rekomandimin e parë thuhet që “Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka juridiksion dhe të drejtë që të ndjek personat përgjegjës për shkeljet serioze të së Drejtës Humanitare Ndërkombëtare të kryera në Kosovë. Misioni Verifikues i bën thirrje Zyrës së Prokurorit që menjëherë të nisin hetimet për krimet e kryera në Raçak”.

Maskra e Raçakut ishte përshirë si amandament në aktakuzën e Tribunalit në Hagë kundër zyrtarëve më të lartë të Serbisë dhe “RFJ”-së por më vonë ishte hequr për shkak se, sipas Tribunalit, mungonin provat për ta mbështetur aktakuzën. Më 18 qershor 2001, në Prishtinë, gjykatat e udhëhequra nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka dënuar me 15 vite burg ish-pjesëtarin e policisë serbe, Zoran Stajoneviq, për vrasje dhe tentim-vrasje në Raçak. Rasti ishte përshkruar nga administrata dhe mediat ndërkombëtare si i njollosur me pa-rregullsi dhe i ndikuar politikisht dhe në vitin 2007 Stojanoviq ishte falur dhe ishte liruar.

Nga atëherë askush tjetër nuk është akuzuar apo dënuar për masakrën e Raçakut.

Më poshtë mund të gjeni raportin e Misionit Verifikues në Kosovë, deklaratën e Dr. Helena Ranta dorëzuar në Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë si dhe raportin e hetuesve mjeko-ligjorë finlandez.

Vërejtje: Këto dokumente përmbajnë të dhëna, skica dhe fotografi të Masakrës së Raçakut të cilat mund të jenë të rënda për fëmijët dhe për personat e ndjeshëm dhe rekomandohet që këta të mos i lexojnë apo shikojnë këto.

Të ngjashme