Lajme
Masakra e Burgut të Dubravës: Prokuroria Speciale e ka hetuar rastin, së shpejti aktakuza
Demokracia
22:32 | 03 Shtator 2023

Share:

Së shpejti do të ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarve për masakrën e Dubravës. Këtë e konfirmoi për RTK-në prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina.

Ai tha se hetimet për këtë masakër tashmë kanë përfunduar. “Kemi arrestuar një të dyshuar për masakrën e Dubravës, hetimet janë duke u zhvilluar që një kohë të gjatë. Ne, veç kemi përfunduar hetimet në këtë rast dhe jemi në fazën e vlerësimit të provave për mundësinë që brenda javësh, për të mos thënë muajsh, të ngrejmë një aktakuzë në këtë rast”, tha Morina për RTK-në.

Prokurori Morina, përmendi pengesën kryesore në lidhje me këto hetime. Pikërisht mungesa e bashkëpunimit me shtetin serb, del të jetë një prej pengesave, që do t’a zbardhnin të vërtetën këtij krimi, e të tjera.

“Fatkeqësisht ne kemi vetëm mundësinë e parë – mbledhjen e provave në territorin e Kosovës. Me Serbinë mungon bashkëpunimi që fatkeqësisht është pengesë e madhe në punën tonë. Të gjithë të pandehurit janë të arratisur dhe presupozojmë e për disa edhe e dimë se jetojnë në Republikën e Serbisë”, nënvizoi Morina.

Ndryshe, Prokuroria Speciale tashmë ka ngritur disa aktakuza, për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Krejt kjo në saje të ndryshimit të ligjit, ku tashmë mundësohet edhe gjykimi në mungesë.

I mbijetuari i Masakrës së Dubravës që sfidoi Gjykatën Speciale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, krahas insititucioneve të drejtësisë, që edhe fizikisht gjinden në Kosovë, tash e një kohë po kërkon nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, të nisë hetimet për Masakrën e Dubravës, ku ai vetë është i mbijetuar.

Në një konferencë për media, ai ka “sfiduar” Prokurorinë Speciale, duke thënë se nëse kjo gjykatë nuk është një etnike, atëherë nuk ka arsye për të mos i filluar hetimet. Dugollit tashmë i ka ardhur një letër nga Specialja, të cilën e ndau me publikun.

Prokuroria e ka garantuar Dugollin se do ta “shqyrtoj” kërkesën e tij.

“Të dashur qytetarë, Dua t’ju informoj se ditë më parë, kam pranuar një letër nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Letra konfirmon se Prokuroria ka marrë shkresën që i kam dërguar me postë më 29 prill, në të cilën kërkova nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Letra e Prokurorisë po ashtu njofton se kërkesa ime do të shqyrtohet nga ana e tyre.” – ka shkruar Dugolli.

Tutje deputeti ka shkruar se ky është rasti që Gjykata Speciale ta sqaroj përfundimisht nëse është një etnike ose jo.

“Ju falemnderit të gjithëve për mbështetjen tuaj. Mbetem me shpresë se Prokuroria e Specializuar do t’i japë fund pandëshkueshmërisë së autoriteteve të larta të Serbisë për këto krime monstruoze, si dhe ta shfrytëzojë këtë rast për të sqaruar përfundimisht nëse Gjykata Speciale është, apo s’është, gjykatë një-etnike.” –

Kërkesa e Dugollit

Deputeti, në një konferencën për medie të organizuar kohë më parë, kishte thënë se ka prova të mjaftueshme për t’i dorëzuar në prokurori, e se i mban mend emrat e urdhërdhënësve si dhe të kryrësve.

“Kërkesa ime është ndaj prokurorit special të Gjykatës Speciale që të nisë hetime sepse kam dëshmi të mjaftueshme për t’u zhvilluar hetimet dhe për t’u ngritur aktakuza në lidhje edhe me këtë masakër. Faktet janë se në atë masakër janë ekzekutuar 116 të burgosur dhe një i zhdukur sikurse Ukshin Hoti. Janë dëshmitarët që ende janë gjallë dhe plagët e tyre flasin vet. Madje këta dëshmitarë nuk kanë nevojë as për mbrojtje të identitetit”

I mbaj mend edhe emrat që i kanë urdhëruar dhe kryer këto krime.”- ka thënë Dugolli.

Ai tutje ishte shprehur se nëse kjo Gjykatë nuk është një etnike, nuk ka arsye për të mos filluar hetimet.

“Nëse Gjykata Speciale nuk është një etnike, atëherë nuk ka arsye që të mos kryhen hetimet për këtë krim”- ka thënë Dugolli

Por..

Por, në nenin nji pika dy, të Ligjit për Dhoma të Specializuara, përcaktohet fusha e veprimit si dhe qëllimi i këtij ligji.

Aty përmendet kryefjalë është pikërisht, Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Dhomat e specializuara brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të specializuar janë të domosdoshme për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të parapara në Ligjin nr. 04/L-274, për garantimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe për garantimin e procedurave penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase në lidhje me pretendimet për krime të rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare të kryera gjatë konfliktit në Kosovë dhe pas tij, krime të cilat ndërlidhen me ato që janë raportuar në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Dok 12462, i datës 7 janar 2011, dhe të cilat kanë qenë objekt i hetimeve penale të kryera nga Task Forca Hetimore Speciale (“TFHS”) e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (“PSRK”).” – thuhet në nenin një të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Tutje, edhe në nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, i cili pati hyrë si ndryshim i saj, thuhet se “Republika e Kosovës mund të themelojë Dhomat e Specializuara dhe një Zyre të Prokurorit të Specializuar në kuadër të sistemit të drejtësisë në Kosovë “për t’i përmbushur obligimet ndërkombëtare në lidhje me Raportin e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Dokumenti 12462, të datës 7 janar, 2011”.

E në raportin prej 42 faqesh të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, në asnjërën prej tyre nuk përmenden krimet e forcave serbe të kryera në Kosovë, përfshirë masakren e Dubravës.

Të ngjashme