Lajme
Martin Berishaj i ndihmoi Vetëvendosjes plot një dekadë me sondazhet e IFIMES-it
Demokracia
23:31 | 21 Prill 2022

Share:

Mediat sllovene sot publikuan një hulumtim në të cilin përfshihet edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. 

Berishaj ishte vazhdimisht pjesë e partive politike në Kosovë, por veçanërisht nga viti 2012, ai ishte ofruar me Lëvizjen Vetëvendosje. Shumë para se të bëhej anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2018, Merishaj tashmë kishte vite që po ia bënte “argatin” këtij subjekti politik.

Berishaj ishte anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Kurti e Konjufca e kanë të preferuar

Berishaj i kishte ndihmuar me vite të tëra Lëvizjes Vetëvendosje edhe me sondazhe të “kurdisura” si bashkëpunëtor i Institutit Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Afërt dhe Ballkanit [IFIMES].

Ky institut, me të cilin Berishaj kishte bashkëpunim të afërt, që zakonisht dilte në pah vetëm kur kishte zgjedhje në Kosovë, plot një dekadë e kishte favorizuar Lëvizjen Vetëvendosje.

IFIMES njihej për analiza tendencioze për zhvillimet politike në Ballkan, paralajmërimet e të cilave asnjëherë nuk kishin rezultuar si të vërteta dhe, veçanërisht, njerëzit e politikës e dinin afërsinë e Martin Berishajt me këtë institut, i cili tani po dyshohet se i barti 600 mijë euro CASH për në Slloveni.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën [2017] në Kosovë, ky institut publikoi një analizë përmes së cilës konkludonte se ekziston plani i vendeve udhëheqëse në botë, që nga skena politike në Kosovë të eliminojnë shumicën e liderëve të tashëm, ndër ta edhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe në vendin e tij të vinte lideri i VV-së, Albin Kurti.

Kjo ishte ndër analizat e vetme që këtij instituti i kishte rezultuar e saktë.

Në Kroaci mediat vazhdimisht talleshin me Institutin IFIMES dhe analizat që publikohen prej tyre.

Njëherë ishte raportuar se ky institut kishte vetëm dy punëtorë dhe të dy e quanin vetën drejtorë. Zijad Becirovic boshnjak dhe Bakhatyar Aljaf kurd i Irakut. Sipas medieve kroate, ky institut nuk kryente anketa, por vetëm hulumtime të opinionit publik, sipas nevojës së porositësit.

Para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ky institut kishte shkruar se kryeministri i atëhershëm kroat Ivo Sanader ishte marrë vesh me kryeministrin serb Vojisllav Koshtunica se nuk do ta pranojë Kosovën dhe si kundërshpërblim, Koshtunica do t’ia mundësonte Sanaderit krijimin e entitetit të tretë në Bosnjë, i cili do të qeverisej nga kroatët.

Por, edhe kjo nuk doli të jetë e saktë, pasi Kroacia ka qenë në mesin e vendeve të para që kanë njohur Pavarësinë e Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 26 Qershor 2024