Lajme
Martin Berishaj erdhi në MPJD për të “raportuar”, Gërvalla mbyll telefonin
Demokracia
20:50 | 27 Prill 2022

Share:

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është parë sot në objektin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Demokracia.com ka arritur ta konfirmojë jozyrtarisht se ambasadori Martin Berishaj, tashmë me famë rajonale, ka qenë sot në objektin e MPJD-së në Prishtinë.

Lidhur me këtë situatë, për ta pyetur për sqarimet e marra nga ambasadori Berishaj rreth skandalit financiar rajonal ku është përfshirë, Demokracia.com ka kontaktuar me ministren Donika Gërvalla – Schwarz, por kjo e fundit nuk e ka hapur telefonin.

Ditë më parë, Presidenca e Kosovës bëri të ditur se Berishaj do të ftohet në Kosovë për të raportuar lidhur me skandalin e shpërlarjes së 600 mijë eurove.

Por, përkundër kësaj, si presidentja Osmani, ashtu edhe kryeministri Kurti, kanë thënë që besojnë se Berishaj është i pafajshëm, pavarësisht dokumenteve që dëshmojnë transaksionet me para të ambasadorit Berishaj.

Afera e GEN-it në Serbi, Berishajt dhe Golobit

Sipas televizionit slloven, Planet TV, rreth 600 mijë euro para cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit, thuhet se ka pasur rolin e “mushkës” apo transportuesit të parave.

Në xhirollogarinë e MB Consulting, kompani në pronësi të Berishajt e regjistruar në Mal të Zi, nga GEN-i serb janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj, përcjell Demokracia.com.

Ky televizion ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pagesat ishin kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompania GEN ka marrëveshje për këshillime.

Lidhur me rastin kishte reaguar edhe ambasadori Berishaj, i cili kishte paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi, por nuk ka mohuar dhe as pohuar që kompania në fjalë është e tij. Prej të premtes, nuk ka pasur ndonjë reagim tjetër nga ai.

Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani në një përgjigje fillimisht e kishte cilësuar si “dezinformatë” dhe “konstatim” këtë çështje, por më vonë ajo e zbuti qëndrimin e saj, duke thënë se i ka kërkuar raport ambasadorit Berisha.

Njëjtë edhe kryeministri Kurti, i cili e ka mik të mirë ambasadorin Berishaj, duke cituar fjalët e këtij të fundit, tha se raportimet e mediave sllovene janë të pavërteta.

Afera Golob dhe Berishaj, që nxiti më së shumti debate në Slloveni gjatë kësaj jave, ishte top-skandal financiar rajonal. /Demokracia.com/

Të ngjashme