Lajme
Martin Berishaj e “shpëlau” edhe Facebook-un
Demokracia
17:09 | 22 Prill 2022

Share:

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili po dyshohet se është përfshirë në një aferë të madhe të shpëlarjes së parave, sot ka ndërmarrë edhe një vendim të rëndësishëm në rrjetet sociale.

Përveç që fshehu pasurinë në deklarimin e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Berishaj ka fshehur ose ka fshirë postimet në rrjetin social Facebook.

Për ta parë publiku, ai e ka lënë vetëm një fotografi, shkruan Demokracia.com.

Madje, njerëzit që s’e kanë “friends”, Berishajn nuk mund ta lexojnë as arsyetimin e tij për skandalin financiar në Slloveni.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, u bë lajm rajonal meqë dyshohet se është i përfshirë në një skandal të zbuluar financiar në Slloveni, ku me ndihmën e tij, kandidati për kryeministër të Sllovenisë, Robert Golob, dyshohet se ka bërë shpëlarje parash.

Ambasadori kosovar dyshohet së është bërë pjesë e një skeme ku para që paguheshin nga një kompani serbe, e cila është degë e një kompanie energjetike ballkanike, transferoheshin te një kompani tjetër malazeze MB Consulting, pronar i së cilës ishte vetë ai.

Në një status në llogarinë e tij në Facebook, Berishaj i ka mohuar akuzat për shpëlarje parash, por nuk ka mohuar faktin se është pronar i kompanisë malazeze që pranonte para nga ajo serbe.

Përkundër dyshimeve, presidentja Vjosa Osmani e ka mbrojtur ambasadorin. Ajo ka thënë se kanë zgjedhur t’i besojnë atij, meqë ai po i mohon akuzat./ Demokracia.com/

Të ngjashme