“Ne ende nuk e dimë. Jemi e duke diskutuar këtë. Nëse shtetet anëtare do të jenë për heqjen e tyre, sigurisht që do ta bëjmë këtë. Por, për momentin, jo të gjitha shtetet anëtare janë për heqjen e masave”.
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë është parakusht që Kosova të mund të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e anëtarësimit në BE.
Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, dhe tani ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.
“Ne po presim për [formimin e] qeverisë së re. Jam në kontakt me politikanët atje, dhe ata pretendojnë se janë shumë të favor të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, çka është parakusht që të mund të nisë procesi i negociatave ose të jepet statusi i kandidatit”, tha Kos.
Ajo tha se është shumë e rëndësishme që qeveria e ardhshme e Kosovës të plotësojë disa parakushte “që duhet të pëmbushen”, pa përmendur se cilat janë ato.
Kosova po udhëhiqet nga një qeveri në detyrë pasi që legjislatura e re ende nuk është konstituuar, as më shumë se një muaj pas certifikimit të rezultateteve të zgjedhjeve parlamentare që ishin mbajtur më 9 shkurt.
Procesi i anëtarësimit të një vendi në BE merr kohë, pasi që vendi kandidat duhet t’i përmbushë disa kritere, t’i përshtatë ligjet e veta me ato të BE-së, si dhe të presë ratifikimin e traktatit për anëtarësim në parlamentet e secilit vend anëtar të BE-së.
Kosova ende është në fazat fillestare të anëtarësimit, pasi ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat. Për këtë gjë, fillimisht Komisioni Evropian duhet ta japë pëlqimin për aplikimin për anëtarësim e pastaj Këshilli Evropian duhet ta konfirmojë unanimisht statusin si vend kandidat.
“Nuk kam marrë asnjë sinjal nga shtetet anëtare ose nga presidenca daneze [e Këshillit Evropian] se kjo gjë [marrja e statusit gjatë presidencës daneze] mund të ndodhë. Por, mendoj se do të ishte shumë mirë të nisim”, tha ajo.
Edhe më parë këtë muaj, shefja e politikës së jashtme të bllokut evropian, Kaja Kallas, kishte thënë se as Kosova, e as Serbia nuk mund të ecin përpara në rrugën drejt BE-së pa normalizim të marrëdhënieve.
Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to.
Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.
Pikërisht këto tensione në veriun e Kosovës kishin bërë që BE-ja, më 2023, t’i vendosë disa masa ndëshkuese Kosovës dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.
Me gjithë kërkesat e liderëve të Kosovës për heqjen e këtyre masave, Kos theksoi se aktualisht jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë të gatshme për heqjen e masave në këtë fazë.
“Ne ende nuk e dimë. Jemi e duke diskutuar këtë. Nëse shtetet anëtare do të jenë për heqjen e tyre, sigurisht që do ta bëjmë këtë. Por, për momentin, jo të gjitha shtetet anëtare janë për heqjen e masave”, u shpreh ajo.
Gjatë intervistës së dhënë për REL-in, Kos tha se ajo do ta cilësonte si një dështim nëse gjatë mandatit të Komisionit aktual nuk do të kishte anëtarë të rinj në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, ajo u shpreh optimiste, duke theksuar se nga pikëpamja teknike “mund të përfundojmë me Malin e Zi [si anëtar] deri në fund të vitit 2026” dhe “mund të përfundojmë me Shqipërinë [si anëtar] deri në fund të vitit 2027”.