Lajme
“Marshojmë s’festojmë” sivjet me luftën kundër femicidit
Demokracia
20:46 | 05 Mars 2021

Share:

Tema kryesore e këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, më 8 mars, është lufta kundër femicidit, ose siç njihet ndryshe vrasja e grave nga burrat për shkak të gjinisë së tyre, duke përfshirë kështu thirrje dhe parulla të ndryshme që denoncojnë shtetin e Kosovës, i cili po dështon t’i mbrojë gratë gjë që po ua merr jetën atyre.

Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” sivjet me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, më 8 mars do të organizojë marshin tradicional, në Prishtinë, derisa këtë vit duke pasur parasysh rrethanat me pandeminë, ka ndikuar të mos ketë një mobilizim të madh nëpër rrugë.

Kështu ka bërë të ditur Kolektivi “Marshojmë s’festojmë” në një bisedë për Demokracia.com.

“Tema kryesore e këtij viti është lufta kundër femicidit, duke përfshirë kështu thirrje dhe parulla të ndryshme që denoncojnë shtetin e Kosovës i cili po dështon t’i mbrojë gratë, gjë që po ua merr jetën atyre”, kanë thënë nga Kolektivi “Marshojmë s’festojmë”.

Nga kolektivi “Marshojmë s’festojmë” thanë se këtë vi duke pasur parasysh rrethanat me pandeminë, është duke ndikuar në mungesën e mobilizimit të madh në rrugë, kanë vendosur që paralelisht të bëjnë disa ndërhyrje, ndër të cilat do të jenë: Marshi tradicional do të mbahet vetëm në Prishtinë; dë të bëhet shpalosje e çarçafëve të mëdhenj në disa institucione, ku përveç Prishtinës ky aktivitet do të bëhet edhe në 13 komuna tjera.

“Këtë vit, duke i pasur parasysh rrethanat, në të cilat gjendemi, të cilat janë duke e ndikuar mundësinë e mobilizimit të madh në rrugë, ne kemi vendosur që paralelisht t’i kryejmë tri ndërhyrje kryesore. E para do të jetë marshi tradicional i cili do të mbahet në Prishtinë. Përveç kësaj, ne do t’i shpalosim disa çarçafë të mëdhenj në disa prej institucioneve kryesore me disa nga thirrjet tona që e adresojnë femicidin në Kosovë. Këto çarçafë përveç Prishtinës, do të shpalosen edhe në 13 komuna të tjera të Kosovës me thirrjet e njëjta.

“Marshojmë s’festojmë” do të organizojë protesta me çarçafë nëpër ballkone, duke shfrytëzuar momentin që të bëjnë thirrje për të gjitha gratë dhe burrat, që 8 marsin ta presin të revoltuara, duke iu bashkangjitur protestës me çarçafë dhe me mbishkrime me thirrjet për të kundërshtuar fenomenin e vrasjes së grave.

“Protesta me çarçafë nëpër ballkone, e cila organizohet për shkak të rrethanave në të cilat gjendemi, ne duam ta shfrytëzojmë këtë momentum që t’i thërrasim të gjitha gratë si dhe burrat anembanë Kosovës që 8 marsin ta presin të revoltuara dhe të na bashkangjiten në protestë me çarçafë me mbishkrime dhe thirrje që e kundërshtojnë fenomenin e vrasjes së grave dhe papërgjegjësisë institucionale”, thuhet nga kolektivi “Marshojmë s’festojmë”.

Çarçafi për këtë vit do të jetë simbolika kryesore, për arsye se pikërisht aty fillon të përshkallëzohet shtypja e grave, e cila përfundon me fatalitet.

“Ne jemi duke kërkuar që gratë të protestojnë pikërisht me çarçafët që ato i kanë nëpër shtëpitë e tyre. Këtë vit, çarçafi do të jetë edhe simbolika kryesore e 8 marsit, kjo si thirrje që revolta duhet të fillojë pikërisht aty ku edhe fillon e përshkallëzohet shtypja ndaj grave, e cila për disa gra përfundon me fatalitet”, thuhet në përgjigjen e “Marshojmë s’festojmë”.

Nga ky kolektiv në bisedën e tyre me Demokracia.com, kanë thënë se për këtë 8 mars simbolikën e çarçafëve nga shtypja ta kthejnë në revoltë të të gjitha grave në Kosovë, duke e ditur se çarçafi paraqitet si një mishërim i moralit të grave dhe punës së papaguar të tyre.

“Për ne si kolektiv, simbolika e çarçafëve është tejet e rëndësishme duke qenë që çarçafët zënë një vend të rëndësishëm në shtypjen e grave në familjet kosovare, duke qenë që paraqet mishërim të moralit të grave dhe punës së papaguar të tyre dhe shpesh kthehet në vendin ku gratë dhunohen dhe vriten. Këtë 8 mars, duam ta rimarrim simbolikën e çarçafëve nga shtypje, ta kthejmë në revoltë të të gjitha grave në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

8 marsi organizohet nga aktiviste dhe aktivistë feministë dhe feministe dhe kolektivi është i hapur për njerëz të rinj dhe për herë të parë manifestohet në 14 komuna, duke shënuar një rritje të dukshme.

“8 marsi organizohet dhe mirëmbahet vetëm nga aktiviste dhe aktivistë feministe/ë dhe nuk ka ndonjë organizatë që i qëndron mbrapa. Rrjedhimisht nuk kemi ndonjë organizatë që është bashkuar. Vetë kolektivi është i të gjitha/ë atyre që duan të bëhen pjesë dhe gjithmonë është i hapur për njerëz të rinj. Kësisoj, sivjet siç edhe mund të jeni në dijeni, “Marshojmë s’festojmë” për herë të parë manifestohet në 14 komuna, duke shënuar kështu një rritje të dukshme në numrin e aktivisteve/ëve dhe komunave që ka në grup organizativ”, pohohet nga “Marshojmë s’festojmë”.

Nga ky kolektiv thuhet se janë të fokusuar në dhunën ekonomike, dhunën fizike dhe emocionale që bëhet kundër grave, qysh nga dhomat e tyre të gjumit, kuzhina e deri te instancat në të larta të shtetit, prandaj thirrjet e tyre janë që patriarkaliteti, i cili po shkakton dhunën kundër grave të luftohet dhe çrrënjoset, duke u trajtuar në mënyrë të dinjitetshme.

“Ne fokusohemi zakonisht tek dhuna ekonomike, dhuna fizike dhe emocionale që iu bëhet grave duke filluar nga dhomat e tyre të gjumit, kuzhina, e deri në instancat më të larta të shtetit. Andaj thirrjet tona do jenë që patriarkaliteti i cili po shkakton gjithë këtë dhunë ndaj grave të luftohet dhe çrrënjoset dhe që gratë të trajtohen drejtë dhe dinjitetshëm”, deklarojnë nga “Marshojmë s’festojmë”.

Rritje të numrit të grave, të cilat i bashkohen nismave protestuese është rritur përgjatë viteve, por një ndryshim, që është bërë sivjet është zhvendosja e protestës brenda shtëpive, në vendin ku edhe fillon dhuna, sipas këtij kolektivi.

“Përgjatë viteve ne kemi parë një rritje të numrit të grave që i bashkohen nismave protestuese por nuk është që kemi një statistikë. Sidoqoftë, sivjet ne e kemi zhvendosur protestën edhe brenda shtëpive, aty edhe ku fillon dhuna, ku i kemi ftuar gratë që të dalin të brohorasin dhe të protestojnë me çarçafe në dorë, si kundërshtim i patriarkatit vrasës dhe solidaritet me të gjitha gratë që edhe sot jetojnë nën dhunë ose/dhe vdesin nga dhuna”, është thënë në fund nga “Marshojmë s’festojmë”./Demokracia.com/

Të ngjashme