Lajme
Marrëveshje para marrëveshjes
Demokracia
12:08 | 06 Qershor 2021

Share:

Gjasat për një marrëveshje finale brenda një periudhe të shkurtër kohore duken pothuajse të pamundura, nëse marrim parasysh një mori faktorësh.

Vuçiq si epiqendra e vetme e  vendimmarrjes politike në Serbi nuk është i interesuar për një marrëveshje finale me Kosovën, pa një datë të sigurt të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pa përfitime të majme materiale në rrafshin ndërkombëtar, pa një autonomi me kompetenca ekzekutive për komunat serbe në veri dhe pa eksterritorialitet për kishat e manastiret në raport me Kosovën, përfitime me të cilat marrëveshjen do të mund t’ia “shiste” popullit serb se “nxori më të mirën e mundshme në këtë fazë”.

Sa i përket datës, një garanci e tillë ka shumë pak gjasa të ndodhë nga lidershipi i vendeve më me ndikim në Bashkimin Evropian, si Franca dhe Gjermania. Kjo për shkak të prioriteteve të tyre të brendshme, që ndër më të rëndësishmet janë zgjedhjet nacionale në fundin e shtatorit të këtij viti në Gjermani dhe zgjedhjet presidenciale në mesin e muajit maj të vitit 2022 në Francë. Megjithatë, këto nuk janë arsyet e vetme, sepse blloku evropian po përballet me shumë telashe të brendshme dhe me një unitet të zbehur çdo ditë e më shumë nga vetë shtetet anëtare të tij.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës si asnjëherë më parë në sistemin tonë të ri parlamentar, ka mundësi jo vetëm të arrijë marrëveshje, por edhe të implementojë çfarëdo marrëveshje të arritur falë qasjes së unifikuar në të tria institucionet kryesore të shtetit. Por, njëjtë sikur edhe në rastin e Serbisë, ka pak të ngjarë që të ketë interesim për të arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, sepse çdo marrëveshje e arritur ngërthen në vete tejkalim ekstrem të të gjitha parimeve politike të Kryeministrit të Kosovës, i cili është vendimmarrësi i vetëm, pavarësisht ndarjes së pushteteve.

Nëse i marrim parasysh të gjitha këto, atëherë Bashkimi Evropian do ta bëjë hapin e radhës në përputhje me pozicionet e reja të palëve. Ajo që në realitet pritet të ndodhë është se nuk do të ketë marrëveshje finale me njohje reciproke nga të dyja palët, por palëve do u imponohet edhe një marrëveshje para asaj finale apo një tranzicion drejt finales, që sigurisht do të zgjasë edhe disa vite të tjera. Kjo zgjatje orientimisht mund të vazhdojë deri në prag të futjes së Serbisë në Bashkimin Evropian kur është edhe faza e fundit për arritje të një marrëveshjeje finale, që brenda vetes do ta kishte edhe njohjen reciproke. Ajo çfarë pritet të përmbajë marrëveshja e radhës është vetëm mesi i asaj çfarë është aktualisht dhe asaj çfarë do të duhej të ishte si finale me njohje reciproke!

Serbia do të insistojë në themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, në sigurimin e garancisë për kishat dhe manastiret përtej asaj që parasheh Pakoja e Ahtisarit dhe në një marrëveshje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, me një plan implementimi të mbikëqyrur nga afër prej vetë BE-së. Ndërsa, Kosova do të insistojë në liberalizimin e famshëm të vizave, i cili në vend që të trajtohej si një proces teknik, pasi që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, tashmë po trajtohet tërësisht si proces politik (liberalizimi me shumë gjasa nuk do të ndodhë gjatë vitit 2021, siç janë pritjet e Qeverisë). Po ashtu, Kosovës mund t’i garantohet edhe njohje nga ndonjë shtet i pesëshes jonjohëse të Bashkimit Evropian dhe ndërprerja e fushatës kundër njohjeve të Kosovës nga ana e Serbisë. Sigurisht që të dyja palët do të përfitonin fonde zhvillimore nga BE-ja dhe SHBA-ja, në mënyrë që të sigurohej një zhvillim më i hovshëm ekonomik i rajonit për një përafrim sa më të shpejt drejt integrimit në BE, si dhe vazhdim i dialogut teknik për çështje të ndryshme.

Me të gjitha lëshimet që mund t’i bëjë Kosova për arritjen e kësaj marrëveshjeje jo finale është tepër vështirë të pritet sigurimi i njohjes së shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe aq më i paarritshëm garantimi i ulëses së Kosovës në OKB. Garanci për sigurimin e ulëses së Kosovës në OKB nuk është madje as njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Ulësja e Kosovës në OKB mbetet në “mëshirën” e Rusisë e Kinës dhe kur kemi parasysh fuqinë dhe interesat gjeopolitike të tyre si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, sigurimi i ulëses bëhet edhe më i komplikuar.

Pa u futur në supozimet se cilat do të jenë pengesat që palët do t’ia vendosin njëra-tjetrës për të mos e marrë barrën e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, çfarëdo marrëveshje e arritur në këtë fazë nuk do të jetë aspak populiste. Prandaj, modeli i vetërrëzimit të Qeverisë si shmangie e presionit ndërkombëtar mbetet opsioni më i mundur në të dyja vendet. Ka mjaft të ngjarë që një metodologji e tillë e veprimit, me skenarë të kamufluar politikë, të vjen në shprehje për ta shmangur presionin për arritjen e kësaj marrëveshjeje me kosto të madhe sidomos për Kosovën, para marrëveshjes finale me Serbinë.

Qeveria e Kosovës duhet ta përdorë të gjithë potencialin e vet që të përmbyllë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke dhe me zotimin e mospengimit të anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, me SHBA-në dhe BE-në si garantuese. Në të kundërtën, çdo marrëveshje tjetër do të jetë me kosto politike tepër të madhe edhe për nënshkruesin e saj, e cila do të sillte kompromise të reja përtej kompromiseve në bisedimet e Vjenës dhe Republika e Kosovës sërish nuk do ta siguronte as njohjen nga Serbia dhe as anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, por një zvarritje tejet të gjatë dhe të mundimshme në kërkim të perspektivës për të ardhmen e saj!

Të ngjashme