Lajme
Marrëveshja Themelore me KOS-in para ministrave, qeveria e Abazoviqit në krizë
Demokracia
16:09 | 08 Korrik 2022

Share:

Qeveria e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në seancën e nisur të premten, pas orës 13:30, do të shqyrtojë tekstin e Marrëveshjes Themelore, e cila duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe (KOS).

Shumica e televizioneve dhe portaleve në Mal të Zi po e transmetojnë seancën e Qeverisë.

Në të njëjtën kohë, para ndërtesës së Qeverisë janë rreth pesëdhjetë demonstrues, të cilët kundërshtojnë nënshkrimin e kësaj kontrate.

Në tavolinë është versioni i tekstit, për të cilin kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, thanë se është harmonizuar, ndërkaq që ai po kontestohet nga një pjesë e opinionit politik dhe profesional.

Megjithatë, është e pasigurt nëse dokumenti vetëm do të diskutohet apo edhe do të votohet për miratimin e tij. Nëse do të miratohej, do të shqyrtohej nga Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd dhe më pas do të nënshkruhej nga patriarku i Kishës Ortodokse Serbe dhe kryeministri i Malit të Zi, me çka praktikisht do të hynte në fuqi.

Teksti i marrëveshjes, të cilin Partia Popullore Socialiste pro-serbe në pushtet dhe Fronti Demokratik pro-rus në opozitë këmbëngulin ta miratojnë, përveç kundërshtimeve të një pjese të publikut, ka shkaktuar një sërë sulmesh të ashpra mes partive të shumica qeverisëse.

Kryeministri i quajti ekstremistë ministrat e qeverisë së tij nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SDP), të cilët e kundërshtojnë nënshkrimin e marrëveshjes.

“Më mirë ‘ekstremist’ për vendin tënd sesa një ‘tradhtar’”, u përgjigj ministri i Mbrojtjes Rashko Konjeviq.

Në rast se Qeveria e pakicës së Abazoviqit e miraton Marrëveshjen Themelore, disa nga partitë që janë në Qeveri ose e mbështesin atë në Parlament, kanë paralajmëruar nismën për shkurtimin e mandatit të Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Sipas Kushtetutës, Kuvendi mund të shkurtojë mandatin me propozimin e Presidentit të Shtetit, Qeverisë ose me propozimin e së paku 25 deputetëve.

Ndër kundërshtarët e nënshkrimit të tekstit aktual të Marrëveshjes janë Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviq, e cila nuk ka ministra në Qeveri, por i jep mbështetje parlamentare, SDP-ja, një pjesë e opozitës, shoqatat kombëtare malazeze, një pjesë e sektorit joqeveritar…

Ata konsiderojnë se Marrëveshja Themelore e propozuar e vendos kishën serbe mbi shtetin e Malit të Zi dhe e përkthen trashëgiminë kulturore dhe fetare malazeze në atë serbe.

Nga sektori joqeveritar kanë vënë në dukje një sërë anomalish juridike, që nga fakti se disa dispozita janë në kundërshtim me rregulloret pozitive të Malit të Zi e deri te deklarimi se me këtë marrëveshje cenohet karakteri laik i shtetit, i garantuar me Kushtetutë.

Me gjithë kundërshtimin e një pjese të opinionit, i cili kërkon që marrëveshja të debatohet dhe teksti i saj të korrigjohet, kryeministri Abazoviq e zbatoi procedurën e miratimit për vetëm dhjetë ditë.

Fillimisht, ai formoi Grupin e punës për negociatat, i cili, me sa u informua publiku, pati vetëm një seancë, më pas shpalli tekstin e marrëveshjes së rënë dakord me Kishën Ortodokse Serbe dhe njoftoi miratimin e saj një ditë më vonë, gjatë një takimi me patriarkun në Beograd.

Versioni aktual i Marrëveshjes Themelore për marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban kryesisht obligimet e shtetit dhe institucioneve ndaj kësaj bashkësie fetare.

Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.

Të ngjashme
Lajme • 28 Qershor 2024