Lajme
Marrëveshja për Gazën tashmë e pashmangshme, dalin detajet e lirimit të pengjeve – 20 pengje izraelitë për 1000 të burgosur palestinezë
Demokracia
17:15 | 15 Janar 2025

Share:

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Hamasi do të lirojë 3 pengje në ditën e parë, 4 në ditën e 7-të dhe 13 në ditën e 14-të, në këmbim të 1000 të burgosurve palestinezë. Në fazën e parë, 600 kamionë me ndihma humanitare do të hyjnë çdo ditë në Gaza.

Armëpushimi në Gaza dhe marrëveshja e pengjeve është e afërt…shumë më e afërt seç mund të mendohet.

Aq sa, sipas burimeve izraelite të Kanalit 12, vetëm disa detaje të thjeshta të fundit dhe miratimi përfundimtar kanë mbetur për t’u shqyrtuar.

Kanali 12 ka publikuar po ashtu disa detaje nga metodologjia që do të përdoret për lirimin e pengjeve.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Hamasi do të lirojë 3 pengje në ditën e parë, 4 në ditën e 7-të dhe 13 në ditën e 14-të, në këmbim të 1000 të burgosurve palestinezë. Në fazën e parë, 600 kamionë me ndihma humanitare do të hyjnë çdo ditë në Gaza.

IDF do të tërhiqet nga aksi Netzarim dhe pothuajse ka përfunduar tërheqjen e saj nga aksi i Filadelfit, duke lënë vetëm një forcë minimale.

Faza e dytë e marrëveshjes do të fillojë në ditën e 43 dhe do të zgjasë 42 ditë.

Disa ditë para se Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, bisedimet indirekte janë intensifikuar me synimin për një armëpushim të lidhur me lirimin e pengjeve të mbajtura në territorin palestinez që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, i cili shkaktoi luftën.

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden dhe presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, në një bisedë telefonike të martën, u kërkuan të dyja palëve “të tregojnë fleksibilitetin e nevojshëm”, sipas presidencës egjiptiane.

Bisedimet vazhduan në kryeqytetin e Qatar-it të mërkurën, sipas një burimi izraelit për AFP-në pranë negociatave.

Qatar-i, ndërmjetësi kryesor me Shtetet e Bashkuara dhe Egjiptin, tha të martën se negociatat ishin “në fazën përfundimtare” dhe se “problemet kryesore” ishin zgjidhur, duke shpresuar për një marrëveshje “shumë shpejt”.

Sipas dy burimeve pranë lëvizjes Hamas, 33 pengje do të lirohen në fazën e parë, në këmbim të një mijë palestinezëve të mbajtur nga Izraeli.

Pengët do të liroheshin “në grupe, duke filluar nga fëmijët dhe gratë”.

Qeveria izraelite konfirmoi se po kërkonte lirimin e “33 pengjeve” në fazën e parë dhe ishte e përgatitur të lironte “qindra” të burgosur palestinezë.

Ndërsa një marrëveshje mund të jetë e afërt, Izraeli po shton sulmet e tij vdekjeprurëse në Rripin e Gazës, duke pretenduar se synon luftëtarët e Hamasit.

Në të gdhirë të së mërkurës, 24 njerëz u vranë, sipas punonjësve të ndihmës, veçanërisht në Deir el-Balah, në qendër të territorit, dhe në qytetin e Gazës, në veri, ku një sulm goditi një shkollë që strehonte njerëz të zhvendosur.

Një armëpushim i vetëm njëjavor u vëzhgua në fund të nëntorit 2023 dhe negociatat që atëherë janë penguar nga mospërputhja e të dyja palëve.

Por bisedimet janë intensifikuar në prag të kthimit të Donald Trump në presidencën amerikane më 20 janar, mes presionit të shtuar ndërkombëtar mbi palët.

Trump kohët e fundit premtoi “ferrin” për rajonin nëse pengjet nuk liroheshin para kthimit të tij.

Nga 251 personat e rrëmbyer në sulmin e 7 tetorit 2023, 94 mbahen ende peng në Gaza, duke përfshirë 34 që vdiqën sipas ushtrisë izraelite.

Sulmi rezultoi në vdekjen e 1 mijë e 210 personave në anën izraelite, kryesisht civilë, sipas një numërimi të AFP-së bazuar në të dhënat zyrtare.

Të paktën 46 mijë e 707 njerëz, kryesisht civilë, janë vrarë në fushatën ushtarake izraelite të reprezaljeve në Rripin e Gazës, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë e qeverisë së Hamasit, të konsideruara të besueshme nga Kombet e Bashkuara.

Të ngjashme