Lajme
Marrëveshja për burgjet mes Kosovës dhe Danimarkës, shkon në zyrën e presidentes
Demokracia
10:46 | 15 Nëntor 2022
Ilustrim

Share:

Marrëveshja për burgjet mes Kosovës dhe Danimarkës shumë shpejt do të procedohet në zyrën e presidentes dhe më pas në Kuvend.

Këtë e ka konfirmuar Ministria e Drejtësisë duke mohuar lajmin e raportuar në mediat daneze, se marrëveshja në fjalë është lënë në pritje, apo pezulluar në tërësi, për shkak të mungesës së fondeve për qiratë.

”Një lajm i tillë është plotësisht i pavërtetë. Ministritë përkatëse janë duke punuar dhe pritet që shumë shpejtë marrëveshja në fjalë të procedohet në Zyrën e Presidentes dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratim”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ministrie.

Më 10 nëntor, media daneze “Denkorteavis.dk”, raportoi se ujdia për burgjet mes të dyja shteteve është anuluar. Kjo media i referohej “Shoqatës së Burgjeve” të këtij vendi, përmes një komunikate për media.

Dhe jo vetëm.

Një lajm pothuajse të ngjashëm e pati publikuar gjatë muajit gusht edhe mediumi tjetër danez, Ekstra Bladet, ku thuhej se Danimarka pezulloi marrëveshjen për burgjet me Kosovën për shkak të problemeve financiare.

I njëjti u pat mohuar edhe asokohe nga Ministria e Drejtësisë, përkatësisht, drejtuesja e këtij dikasteri, Albulena Haxhiu. Ajo pati thënë se delegacionet Kosovë-Danimarkë janë në koordinim të plotë.

Marrëveshja u firmos më 21 dhjetor të vitit 2021 nga ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe homologu i saj danez, Nick Hakkerup, përmes të një “letre qëllimi”, shkruan KlanKosova.

Nënshkrimi i saj, sipas ministres Haxhiu, që e quante “letër-qëllim”, ishte vetëm hapi i parë drejt jetësimit të marrëveshjes finale, e cila për të hyrë në fuqi duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave, sepse kështu kërkohet për marrëveshjet ndërkombëtare. Siç ishte shprehur e para e drejtësisë – “Kosova është vlerësuar në aspektin e sundimit të ligjit”, prandaj ajo tha se për këtë arsye është përzgjedhur.

Qendra korrektuese me 300 qeli që i jepet me qira Danimarkës gjendet në fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit dhe aty do të vendosen 300 të burgosur, që nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë, ku nuk do të ketë të dënuar për terrorizëm dhe as të dënuar me sëmundje mendore.

Kosova bazuar në ujdinë për burgjet me Danimarkën në 10 vitet e ardhshme duke i lëshuar 300 qeli burgu me qira, pritet të përfitojë një shumë prej 210 milionë eurosh.

Të ngjashme