Lajme
Marrëveshja Kosovë-Serbi, kështu synon ta ndërtojë pyetjen në Referendum opozitari Jeremiq
Demokracia
10:27 | 26 Mars 2023

Share:

Marrëveshja Bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bërë “ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme për palët”, por njëjtë nuk mendon edhe opozitari serb, Vuk Jeremiq, i cili synon që këtë marrëveshje ta vendos në një referendum para qytetarëve serbë.

“Planit franko-gjerman ende s’i është vendosur firma dhe për askënd s’është ligjërisht e detyrueshme përveç Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili gojarisht i ka dhënë zotimin”, beson Jeremiq.

Jeremiq, i cili synon mbledhjen e 100 mijë nënshkrimeve për ta hedhur atë në një referendum beson ta formulojë pyetjen kësisoj. “Kur [qytetarëve serbë] u shtrohet pyetja e thjeshtë kështu – a jeni në favor të pranimit të planit përmes të cilës Kosova e vetëshpallur i fiton atributet e një shteti të pavarur apo jeni kundër – shumica prej tyre votojnë kundër, dhe këtë rezultat të referendumit s’e vjedh dot regjimi”, thotë ai për dizajnimin e pyetjes së një referendumi.

“Vuçiq verbalisht u pajtua me planin, u zoua dhe është garantuesi personal i i zbatimit të tij. Ai nuk ka kthim mbrapa, por Serbia po”, vazhdon ai. Sipas Jeremiq, “kushdo” që thotë që marrëveshja është punë e kryer nuk po e thotë të vërtetën.

“Kemi ende disa muaj për ta ndaluar, parandaluar dhe anuluar atë që pranoi Vuçiq muajin e fundit”. Andaj, beson ai, referendumi është rruga e duhur për ta zhbërë atë, ngase sipas tij, themelohet njëherë e mirë barazia ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Insajderi.

“Ne s’po u kërkojmë njerëzve të dalin në front e as të bëjnë sakrfica personale, por vetëm një nënshkrim. Cila është më logjike, më fer dhe me e natyrshme për njerëzit në mënyrë që ta shprehin veten në këso çështje të rëndësishme”, tha mes tjerash Vuk Jeremiq.

Jeremiq, i cili ishte edhe ministër i punëve të jashtme kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, beson se Vuçiq me pranimin e këtij plani tashmë u nevojitet ndërkombëtarëve për ta zbatuar atë.

“Deri atëherë, asnjë fije floku s’duhet t’i mungojë, karrigja s’guxon as t’i lëvizë, e lëre më që të largohet nga pushteti. Kjo do të thotë shkelje mbi liritë dhe demokracinë dhjetë herë më shumë se sot. Nëse shkon kështu, Vuçiçit mund t’i keçet Urdhëri Francez i legjionit të nderit, s’do ta përjashtoja edhe Çmimin Nobel për Paqe, dhe do të na vidhte e shkelte më shumë, i dekoruar me një urdhër evropian”.

Siç vazhdoi më tej ai, Serbia është në një situatë të njëjtë me Malin e Zi në vitin 2012, kur Millo Gjukanoviq bëri për herë të parë kthesën e vendit nga shkëputja prej Rusisë kah Perëndimi.

Të ngjashme