Prej të premtes do të fillojë vaksinimi i fëmijëve të moshës mbi 12 vjet me “Pfizer”, prindërit apo kujdestarët e të cilëve nga sot e deri të ënjten do të duhet t’i regjistrojnë ueb-faqen vakcinacija.mk.
Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe deklaroi se pasi që të shihet interesimi për regjistrim në sajt, do të caktohen takime për vaksinë sipas orarit, sepse një shishkë përmban gjashtë doza.
“Sepse vaksina e Pfizer kur hapet njëherë të vaksinojë gjashtë persona se ka gjashtë doza dhe nëse regjistrohen një ose dy fëmijë, ekziston rrezik i madh që një numër i shishkave të hidhen e ne nuk duam të ndodhë. Prindërit do të munden deri të enjten t’i regjistrojnë fëmijët dhe nga e premtja do të fillojë aplikimi i vaksinave”, tha Filipçe pas vizitës në Poliklinikën në Shuto Orizarë ku është hapur pikë e re për vaksinim.
Ministri njoftoi edhe se rivaksinimi me “Astra Zeneka” do të jetë në gjashtë javë në vend se 12 si deri më tani. Kjo është dakortësuar në takimin me anëtarët e Komitetit për Imunizim. Por, edhe më tutje kjo vaksinë do t’iu jepet vetëm më të moshuarve se 60 vjet.
“Në udhëzimin ka fleksibilitet, e ai është nga katër deri 12 javë. Ne ishim shumë të kujdesshëm duke i pritur gati të gjitha publikimet dhe përvojat nga vendet e tjera sa i përket atyre efekteve anësore të padëshiruara. Kur kalon koha dhe shohim se ai rrezik është me të vërtetë minimal, vendosim që rivaksinimi të mos jetë katër javë siç qëndron në udhëzim, por të jetë gjashtë javë”, tha Filipçe.