Lajme
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria hapin zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE
Demokracia
12:34 | 19 Korrik 2022

Share:

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të martën hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në selinë e BE-së në Bruksel, më 19 korrik u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare, në të cilën Maqedonia e Veriut zyrtarisht i hapi negociatat.

Pas kësaj, u mbajt edhe konferenca me Shqipërinë, e cila ka qenë në bllokun e njëjtë me Shkupin, sa i përket rrugëtimit drejt BE-së.

Në fund të konferencës së parë midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se po hapet kapitulli i ri në historinë maqedonase.

“Kjo është ditë historike, e shumëpritur dhe sigurisht e merituar. Për këtë ditë kemi marrë vendime të vështira, që kërkonin guxim dhe mençur. Kemi marrë vendimin përfundimtar dhe e ruajtëm identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase. Ne kemi vendosur të jemi të vendosur, të guximshëm, të mençur dhe të vendosur që të mos mendojmë për veten, por për gjeneratat e ardhshme”, tha Kovaçevski.

Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky, tha se nga vendet e Ballkanit Perëndimor pritet që si anëtare të ardhshme të BE-së të angazhohen për vlerat evropiane.

Komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, shprehu pritjet që negociatat me Shkupin të zhvillohen shpejt.

“Në këtë mjedis të ndryshueshëm gjeopolitik, prioriteti ynë mbetet Ballkani Perëndimor. Ne jemi të përkushtuar më shumë se kurrë që ta sjellim të gjithë rajonin në BE”, tha Varhelyi.

Të ngjashme