Lajme
Maqedonci ia njeh meritat Haradinajt për “Javelin”-at: Qysh u koritën deputetët e VV-së?
Demokracia
12:49 | 16 Janar 2024

Share:

Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes, sot ka dhënë një deklaratë interesante. Në një intervistë për Tëvë 1, Maqedonci ia ka njohur meritat Ramush Haradinajt, kryetar i AAK-së, rreth nisjes së procedurave për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”.

“Qysh në vitin 2019, janë identfikuar nevojat operacionale të FSK-së. Kodi FMS është hapur gjatë Qeverisë Kurti 1, më saktësisht në prill të vitit 2020, por është iniciuar më herët me një letër që është dërguar nga ish-kryeministri Haradinaj për Departamentin e Shtetit edhe pas hapjes së kodit në prill të vitit 2020 janë adresuar kërkesat jo vetëm për sistemin “Javelin” por për të gjitha sistemet tjera dhe e gjitha ka kulmuar në këtë tre vjeçar me buxhet shtesë. E gjithë rritja e blerjeve ushtarake është në këto tri vjet”, ka thënë Maqedonci, transmeton Nacionale.

Në fakt, Haradinaj e kishte bërë të qartë se ai kishte nisur procedurat për furnizim me “Javelin” sa ishte kryeministër i Kosovës.

“Po lexoj se si Kosova paska bërë kërkesë Shteteve të Bashkuara për të blerë raketa anti-tank Javelin. Lajmi do të konsiderohej sukses sikur të mos ishte i vonuar me vite!

Për informimin e opinionit publik, qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat Javelin dhe jo vetëm!” – shkroi Haradinaj në ditën kur u njoftua se Departamenti amerikan i Shtetit e ka dërguar kërkesën e Kosovës për shqyrtim në Kongres.

Kundrejt këtij statusi të Haradinajt kishte pasur shumë reagime, përfshirë edhe tallje me qëndrimin e Haradinajt për temën e “Javelin”-ave. Por duket se deputetët e VV-së janë ngutur, duke u “koritur” në lidhje me këtë temë. Fitore Pacolli, deputete e VV-së, ishte tallur me të folmen e Haradinajt, gjë për të cilën ajo u kritikua gjerësisht.

“Ramushi: phardje e kam nënshkruar marrëveshjen për raketat Javelin” – shkroi ajo, transmeton Nacionale.

Ndërsa Mefail Bajqinovci, deputet i VV-së, e kishte shtruar një pyetje, që më shumë ngjante në një pyetje retorike tallëse me opozitën.

“A na kallxon opozita edhe çfarë armatimi tjetër kanë me na e pru se krejt ata i paskan ble?” – shkroi Bajqinovci, që dukej ashiqare të ishte një reagim ndaj Haradinajt dhe liderëve të tjerë të opozitës.

Edhe Dimal Basha, deputet i VV-së, kishte shkruar një status me gjuhë ironike në lidhje me qëndrimin e Haradinajt dhe të opozitës.

“Për krejt sukseset e Albinit, opozita thotë, edhe na qështu kena pas qef! Po, qef ndoshta edhe keni pas, ndoshta qe besa edhe ide, veç pula kurrë! A e dini pse jo, se qato pak pula i prejshi edhe hajshi për veti! Gjujshi me pluma nëpër oda, a ushtarët nëpër kazerma s’kanë pas me gjujt në ushtrime! Ushtrisë ia ndajshin 56 milion, Bechtel Enkës 54 milionë! Sot me 200 milion buxhet, normal që blen, a me 56 mln as për mirëmbajtje të autobusave nuk kanë dal!” – shkroi ai.

Pak a shumë, në të njëjtën linjë argumentimi, ishte edhe Adnan Rrustemi, deputet i VV-së.

“Opozita: raketat amerikane u dashtë të blihen para vitit 2021. Qeveria Kurti i vonojë ato.

Koment: pajtohem se Qeveria Kurti u dashtë me ardhë më heret. Shumë para vitit 2021.” – kishte shkruar ai ditë më parë.

Nuk dihet cili do të jetë reagimi i deputetëve të VV-së pas qëndrimit mirënjohës të Maqedoncit për Haradinajn, megjithatë një gjë është e sigurt: deputetët e VV-së tash duhet ose të pajtohen me Maqedoncin për kontributin e Haradinajt për “Javelin”-at, ose të kundërshtojnë Maqedoncin.

Të ngjashme