Lajme
Manipulimi i Albulena Haxhiut | “10 shkurtin 2007” mundohet ta paraqesë si protestë që solli pavarësinë, por “harron” se LVV-ja ishin kundër negociatave
Demokracia
12:28 | 10 Shkurt 2023

Share:

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk po tregohet e drejtë në përshkrimin e qëllimeve kryesore të protestës së 10 shkurtit 2007, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

Haxhiu në një postim të saj në përkujtim të 16-vjetorit të kësaj proteste, që rezultoi me vrasjen e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, është munduar ta paraqesë si një protestë që kishte për qëllim Pavarësinë e Kosovës.

“Rënia e tyre ngriti edhe më shumë alarmin për korrigjim të padrejtësisë që po na bëhej me pakon e Ahtisaarit, e cila vetëm pastaj rezultoi me përmendjen e togfjalëshit “pavarësi e mbikëqyrur””, shkroi Haxhiu, më 10 shkurt 2023.

Në fakt është e kundërta e manipulimit të Haxhiut: Lëvizja Vetëvendosje i kundërshtonte fuqishëm Negociatat e Vjenës për përcaktimin e statusit final të Kosovës dhe rezultatin e tyre, Pakon e Ahtisaarit.

Në qershor 2005, Albin Kurti kishte themeluar Lëvizjen Vetëvendosje dhe e kishte emëruar kështu, pikërisht për të kundërshtuar negociatat. Kurti dhe subjekti i tij kërkonin që populli i Kosovës të kishte të drejtën të zbatonte parimin e Vetëvendosjes, pra që përmes referendumit të deklaronte vullnetin e vet dhe jo përmes negociatave.

Ende pa i mbushur 3 vite të funksionimit si Lëvizje Vetëvendosje, Kurti që kishte kundërshtuar në vazhdimësi procesin e Vjenës, organizoi protestën më të madhe në Kosovën e pasluftës. Qëllimi i protestës ishte të kundërshtohej Pako e Ahtisaarit, një dokument që përcaktonte statusin e Kosovës, pra shpalljen e Kosovës shtet dhe që garanton të drejtat e pakicave.

Kjo protestë rezultoi fatale për dy të rinjtë, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, të cilët u vranë nga policia rumune e UNMIK-ut, e cila reagoi në mënyrë të dhunshme, duke përdorur edhe armë vdekjeprurëse.

Në këtë protestë kishte edhe shumë të plagosur dhe, po ashtu, ishte përdorur edhe gazi lotsjellës.

Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kurti i kishte kërkuar qytetarëve që të flinin, pasi sipas tij, kjo ditë do të ishte e zakonshme si krejt të tjerat. /Demokracia.com/

Të ngjashme