Lajme
Manaj: Qeveria ka dështuar në procesin e Vettingut
Demokracia
20:23 | 15 Janar 2024

Share:

Shkëmb Manaj, koordinator i Departamentit për Rend dhe Ligj në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), në emisionin “Tempus”, në KTV, tha se Qeveria Kurti ka dështuar në procesin e Vettingut.

“Është hap i mirë që Gjykata Kushtetuese i dha dritë të gjelbër kësaj pjese të Vettingut në sistemin e drejtësisë. Por, ne vlerësojmë që Qeveria e Republikës së Kosovës ka dështuar në procesin e Vettingut. Ju e dini që kjo Qeveri sa ka qenë në opozitë ka qenë për një Vetting gjithëpërfshirës, që përfshin gjithë sistemin e drejtësisë. Por, se si ju ka qasur këtij procesi, na ka sjellur në një momentum kur nuk do të kemi një Vetting gjithëpërfshirës, por do të kemi një Vetting të pjesshëm, që përfshin vetëm pozitat menaxheriale në sistemin e drejtësisë”, tha Manaj.

Ai tha se ky është një dështim i kësaj qeverisje.

“Sepse tash e tutje Vettingun e ka orientuar vetëm pjesshëm dhe përveç që e ka orientuar në një pjesë të sistemit të drejtësisë, ajo na ka vonuar për disa vite”, tha Manaj, duke theksuar se Qeveria nuk ka shënuar asnjë hap në sistemin e drejtësisë.

Sipas tij, vendi ka ardhur në një vend kritik që edhe nëse Vettingu përfundon si i tillë, nuk do të bëjë zgjidhjen e duhur dhe s’është i njëjti për të cilin LVV “trumbetoi” kur ishte në opozitë.

Manaj tha se mendon që Qeveria nuk ka për qëllim të bëjë reforma në drejtësi, por kanë për qëllim që ky proces të mos përfundojë dhe ta kapin sistemin e drejtësisë.

“Mendoj që pjesa e sistemit të drejtësisë më shumë ka qenë si pjesë e goditjes së pushtetit të atëhershëm nga opozita që drejtësia ka dështuar, ne jemi për reforma të reja, pa pasur një analizë të thellë për sistemin e drejtësisë. Por, e kam thënë edhe në fillim të qeverisjes së tyre, këta nuk e kanë për qëllim të bëjnë reforma në drejtësi dhe kjo fatkeqësisht po del të jetë e vërtetë”, tha Manaj.

Ai tha se LDK-ja përkrah rekomandimet e Komisionit të Venecias për procesin e Vettingut.

“Me ju thanë të drejtën jemi para një akti të kryer për Vettingun në sistemin e drejtësisë sepse edhe në programin tonë politik, të Rrugës së Re të sistemit të drejtësisë, tash e tutje unë Vettingun e shohim në rekomandimet që i ka dhënë edhe Komisioni i Venecias, që përfshin reformën në nivelin e pozitave menaxheriale në sistemin e drejtësisë, në Këshill Gjyqësor dhe Këshill Prokurorial, dhe tek kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët”, tha Manaj.

Sipas tij, në momentin kur përfundon procesi i Vettingut në pozita menaxheriale, me anë të legjislacionit të ndërtohen mekanizma të qëndrueshme brenda sistemit, të cilat do ta kontrollonin integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të pasur sistem efektiv dhe efikas. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme