Nga Komuna e Malishevës njoftojnë se sot janë përfshirë nga zjarri malet në mes të fshatrave Gurbardh dhe Turjakë, duke u djegur dhjetëra hektarë.
Bëhet e ditur se zjarre janë regjistruar edhe në disa vende tjera, ndërsa ekipet e zjarrfikësve dhe shpëtimit kanë intervenuar në shuarjen e tyre.
Për këto zjarre ka reaguar edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe njëherit ka bërë thirrje tek qytetarët që të bëjnë kujdes.
“Ekipet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit, gjatë tërë ditës janë angazhuar në shuarjen e zjarrit në malet në mes të fshatrave Gurbardh dhe Turjakë, pasi zjarri, i ndihmuar edhe nga erërat, ka bërë që të digjen me dhjetëra hektarë me pyje. Po ashtu zjarre janë regjistruar edhe në malet në mes të fshatrave Guriq dhe Pagarushë, pastaj në Panorc, si dhe një shtëpi e pabanuar në fshatin Shkozë”, thuhet në kumtesën për media të Komunës.