Lajme
Maliqi për marrëveshjen në Ohër: Kurti e fitoi ndryshimin kozmetik mbi Asociacionin
Demokracia
11:24 | 19 Mars 2023

Share:

Analisti Agon Maliqi, pas marrëveshjes së mbrëmshme mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Ohër të Maqedonisë Veriore ka thënë se Kosova ka humbur 10 vjet për t’u rikthyer përsëri aty ku ishte.

Maliqi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se në Ohër, Kurti e fitoi ndryshimin kozmetik për Asociacionin ndërkaq Vuçiqi e fitoi mungesën e nënshkrimit të marrëveshjes apo siç e quan ai mos dorëzimin historik.

“Kurti e fitoi ndryshimin kozmetik (grimin) mbi Asociacionin, të cilin si përmbajtje ashtu kështu e kishte arrritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Vuçiq e fitoi mungesën e nënshkrimit si narracion të “mos dorëzimit historik” para popullit serb, për ta vazhduar shitjen e iluzioneve dhe mbajtur peng rajonin. Perëndimorët e dorëzuar përballë distancës së palëve e fituan lajmin se po bëjnë diçka”, ka shkrua ai.

Postimi i plotë:

Kurti e fitoi ndryshimin kozmetik (grimin) mbi Asociacionin, të cilin si përmbajtje ashtu kështu e kishte arrritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Vuçiq e fitoi mungesën e nënshkrimit si narracion të “mos dorëzimit historik” para popullit serb, për ta vazhduar shitjen e iluzioneve dhe mbajtur peng rajonin. Perëndimorët e dorëzuar përballë distancës së palëve e fituan lajmin se po bëjnë diçka.

Ndërkohë Kosova dhe Serbia, pasi e humbën një dhjetëvjeçar duke u sillur nëpër rrethin e manipulimeve të politikanëve mbi tema patriotike, e fituan edhe një marrëveshje parimisht pozitive, por vështirë të garantueshme – të varur dhe ndërlidhur me procesin e integrimeve europiane të Serbisë, i cili po ecën me shpejtësinë e breshkës. Me fjalë të tjera, e fituam vazhdimin e procesit me shpresën (por jo edhe garancinë) se gjithçka përmbyllet sivjet.

Se sa ia vlejti e gjithë kjo megjithatë mbetet të shihet nga ajo nëse në ndërkohë Kosova gjatë kësaj kohe e përfiton ndonjë njohje nga vendet e NATO/BE, apo nëse na hapen rrugët për në NATO dhe Këshill të Evropës. Sidoqoftë, ajo që mbetet e sigurt është se Kosova e ka humbur kot një dhjetëvjeçar nën ethet e popullizmit për t’u rikthyer aty ku ishte, për t’iu lutur aleatëve për disa përfitime që i kishte në tavolinë si ofertë para shumë vitesh. Mbi të gjitha, Kosova po e paguan koston e keqleximit të momentit të favorshëm gjeopolitik nga lufta në Ukrainë dhe shpenzimit të krediteve politike ndaj aleatëve me aventurat e pa krye dhe të pakoordinuara në veri. Shpresoj që ky të jetë edhe fundi i qeverisjes me logjikën populliste dhe foshnjore të komandant tastaturave.

P.S. Nuk e di nëse ka ndonjë aneks në marrëveshje ku na kërkohet falje neve “tradhëtarëve” por do të ishte e udhës. Nuk keni nevojë me e nënshkru, edhe ne si BE-ja po e marrim si të mirëqenë.

Të ngjashme