Lajme
Maliqi: Ndalimi duhet të vlejë për çdo kandidat me vepër penale në çdo post, jo vetëm për deputet
Demokracia
17:35 | 20 Janar 2021

Share:

Albin Kurti duhet të pajtohet me vendimin nëse nuk çertifikohet për të kandiduar, pasi askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Kështu ka vlerëruar analisti politik, Shkëlzen Maliqi në një përgjigje për Demokracia.com, teksa ka folur edhe për çështje të tjera që lidhen me zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sipas publicistit dhe analistit politik, nëse KQZ-ja ka gabuar me çertifikimin e Etem Erifit, atëherë dikush mund ta çojë në Kushtetuese edhe kandidimin e Kurtit në zgjedhje.

“Do të duhej të pajtohej, sepse askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Nëse KQZ-ja kishte gabuar me çertfikimin e kandidimit të deputetit të partive të ashkalive, dhe kjo e pat rrëzuar Qeverinë Hoti, s’di si mund ta lejojë kandidimin e Kurtit, sepse sërish dikush do ta çojë çështjen në Gjykatë Kushtatuese,dhe ajo nuk mund të merr vendim të ndryshëm. Kurtit aktualisht ende nuk i ka skaduar afati prej 3 vitesh që do t’ia lejonte kandidimin. Ai afat skadon në shtator”, ka thënë ai për Demokracia.com

Tutje, Maliqi ka komentuar edhe interpretimet e ndryshme lidhur me këtë çështje, duke thënë se sipas logjikës, ndalesa do të duhej të vlente për çdo kandidim, e jo vetëm për deputetët.

“Sipas disa interpretimeve, Kurtit mund t’i ndalohet kandidimi për deputet, por jo edhe kandidimi për kryeministër, sepse në Kushtetutë nuk ka ndalesë decidive të këtillë si për deputetët. Është një çështje për të cilën Kushtetuta mbetet e heshtur dhe pa qartësi ndonëse, sipas logjikës, ndalesa do të duhej të vlente për çdo kandidim në poste të larta shtetërore (presidenti, kryeministri, ministrat etj.) nëse kandidati konkret është i dënuar penalisht nga gjykatat, madje edhe me afate më të gjata se 3 vjet”, tha ai mes tjerash.

Maliqi ka komentuar edhe gjasat për debat mes kandidatëve për kryeministër, duke thënë se kjo nuk do të ndodh pasi e ka refuzuar Albin Kurti.

“Albin Kurti e ka shpjeguar vetë refuzimin… kur deklaroi se nuk duhet të ketë fare debat mes kandidatëve për postin e kryeministrit, sepse e sheh vetën si fitues të parapaguar të zgjedhjeve. Njëkohësisht sugjeroi se debati eventualisht mund të zhvillohet ‘mes atyre që konkurojnë për vendin e dytë’”, ka thënë Maliqi.

Ai mes tjerash thekson se Kurti ka prirje autoritare duke përmendur kështu ish-anëtarët e LVV-së që sfidonin atë.

“Këto qëndrime të Kurtit shpërfaqin një qëndrim supermatist të Kurtit, ku ai në spektrin politik të Kosovës nuk sheh asnjë konkurrent që i afrohet atij. Në bazë të kësaj manie të madhështisë, Kurti projekton një qëndrim nënçmues për oponentin që e sfidon, duke e paraqitur si të padenjë për të debatuar me te. Prirjet autoritare të Kurit janë shfaqur edhe në drejtimin e partisë së tij, pasi që kemi shumë dëshmi nga ish anëtarët e LVV-së se në këtë parti debatet janë heshtur dhe janë larguar ata që guxonin të shfaqnin mendime që sfidonin autoritetin e prijësit që e ka fjalën e fundit”, ka thënë ai.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se janë 47 kandidatë për deputetë që nuk do të çertifikohen, për shkak se kanë vepër penale të konfirmuar në 3 vitet e fundit. Në mesin e këtyre kandidatëve raportohet të jetë edhe Albin Kurti, i cili synon postin e kryeministrit.

Duke folur për trendet negative në zgjedhjet në Kosovë, Shkëlzen Maliqi ka vërejtur se Kosova megjithatë ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve pa probleme.

“Zgjedhjet në Kosovë zakonisht janë zhvilluar pa probleme të mëdha. Asnjëherë nuk është kontestuar rezultati i tyre”, ka thënë ai, por ka shtuar se “por, në disa prej zgjedhjeve të fundit, ka pasur stërzgjatje të procesit të numërimit dhe çertifikimit e më pastaj edhe të krijimit të koalicioneve dhe qeverive stabile”. /Demokracia.com

 

 

 

 

Të ngjashme