Auto&Tech
Makina fluturuese kaloi testet, por do t’ju duhet një patentë piloti
Demokracia
20:02 | 26 Janar 2022

Share:

Një makinë që mund të shndërrohet në një avion të vogël ka kaluar testet e fluturimit. “AirCar” iu dha një Certifikatë zyrtare e Vlefshmërisë ajrore nga Autoriteti Sllovak i Transportit pas përfundimit prej 70 orësh të një “testimi rigoroz të fluturimit”, sipas Klein Vision, kompania që qëndron pas “automjetit makinë-aeroplan me modalitet të dyfishtë”.

Fluturimet testuese, të cilat përfshinin më shumë se 200 ngritje dhe ulje ishin në përputhje me standardet e Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit (EASA), tha kompania në një njoftim për shtyp.

“Testet sfiduese të fluturimit përfshinin gamën e plotë të manovrave të fluturimit dhe performancës dhe demonstruan një stabilitet të mahnitshëm statik dhe dinamik në modalitetin e avionit,” tha kompania.

Një zëdhënës i Klein Vision tha për CNN se kërkohet një licencë piloti për të fluturuar me automjetin hybrid. Një ekip prej tetë specialistësh përfundoi më shumë se 100,000 orë duke konvertuar konceptet e dizajnit në modele matematikore që çuan në prodhimin e prototipit. “AirCar” fuqizohet nga një motor BMË 1.6L dhe punon me “karburant të shitur në çdo pikë karburanti”, tha Anton Zajac, bashkëthemelues i Klein Vision, në një deklaratë për CNN.

Në Qershor, makina fluturuese përfundoi një fluturim testues 35-minutësh midis aeroporteve në Nitra dhe kryeqytetit Bratislavë në Sllovaki. Pas uljes, avioni u shndërrua në një makinë.

 

“Certifikimi i AirCar “hap derën” për prodhimin masiv të makinave fluturuese shumë efikase”, tha piloti testues Stefan Klein, shpikësi i makinës dhe drejtuesi i ekipit të zhvillimit.

Kyriakos Kourousis, kryetar i Grupit të Specialistëve të Vlefshmërisë ajrore dhe Mirëmbajtjes të Shoqërisë Mbretërore Aeronautike, i tha CNN se “kjo nuk është hera e parë që lloje të ngjashme automjetesh janë çertifikuar”. Automjete të tjera në zhvillim përfshijnë PAL-V Liberty, një xhiroplan që funksionon si mjet rrugor, nga kompania PAL-V me qendër në Hollandë. Automjetit iu dha një bazë e plotë certifikimi nga EASA, por ende nuk ka përfunduar fazën përfundimtare të “demonstrimit të pajtueshmërisë”, sipas faqes së internetit të firmës holandeze.

Të ngjashme