Klubi shqiptar FC Iliria Solothurn për herë të tretë në historinë e tij pas fitimit të Kupës Kantonale, ka arritur të kualifikohet në garat e Kupës së Zvicrës.
Pas suksesit të arritur në raundin e parë ndaj FC Escholzmatt-Marbach, klubi shqiptar do të përballet në raundin e dytë me kampionin aktual të Zvicrës, BSC Young Boys.
Kjo ndeshje do të zhvillohet të dielën në orën 16:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror SRF Info. FC Iliria Solothurn është klubi i vetëm shqiptar që garon në këtë rreth të garave, e ku marrin pjesë klubet elitare zvicerane.
Interesimi i bashkatdhetarëve tanë për ta përcjellë këtë ndeshje është i jashtëzakonshëm dhe pritet një atmosferë impozante, por drejtues të klubit kanë shprehur habinë se si askush nga institucionet kosovare dhe ato të ambasadës në Zvicër nuk kanë kthyer ende përgjigje në ftesat që u janë dërguar për të qenë të pranishëm në këtë ngjarje të madhe për komunitetin shqiptar në Zvicër. /Demokracia.com