OpEd
Madhështia në një enigmë që sfidon vdekjen
Demokracia
08:47 | 22 Qershor 2024

Share:

NGA  DR. EDUARD A.SKUFI 

Ekzistojnë situata klinike, ku as imagjinata shkencore mjekësore apo intuita klinike nuk mund të ofrojnë logjikën interpretative. Janë ato situata kur edhe mjekësia hesht, në pamundësinë e saj. Kjo bëhet më e vështirë kur përballë ke një mikun tënd dhe ti ndjehesh i pafuqishëm për ta ndihmuar…

Ai njeri aktiv, energjik, me shpirt poetik, kur trajektorja sfiduese e jetës në pranverën e vitit 2009, nuk iu bind argumenteve të tij matematikofizike dhe një ischemi cerebrale i frenoi logjikën dhe aktivitetin. Në neuronet e tij mbeti i ngurtësuar imazhi i Lord Bajronit, vepër të cilën nuk mundi ta përfundonte dhe për 15 vjet dergjet në shtrat, me një zemër të pavdekshme, duke përjetuar gjithë arsenalin e komplikacioneve. Më ngjan si hero mitologjik në letargji anestetike, që dhimbjen padashur ua shpërdan të tjerëve. Mbase quizi më i favorshëm për t’u zgjidhur, vështirë të gjesh me atributet e tij në jetë, një të dytë: Dionis Qirixidhi…

Emri i tij më kujton pranverën ambiguale të vitit 1991, kur kishte ardhur në Janinë me xhemelin e tij, piktorin e shquar N.Jonuzin për të hapur ekspozitën e parë të pikturës. Më telefonoi në klinikën universitare Oftalmologjike, ku isha për kualifikim. Mbasdite me kolegë shkuam të vizitonim ekspozitën. Por ai më serviri një surprizë tjetër të veçantë,një vogëlush vlonjat gati të verbër mbas dëmtimit me bombë, që qëndronte si skulpturë e dhimbshme mbas kolonave të mermerit, pranë ekspozitës.

“Erdhën nga malet, në këtë acar për ty – më tha me ton të ulët. – Mund t’i ndihmosh? – Patjetër”, – i thashë unë. Nisi i prekur më përqafoi. Por gëzimin më të madh na e dha drita e fëmijës mbas operacionit që ndriçoi zemrat tona dhe nisi i emocionuar lotonte. Kur punonte në Bashkinë e Athinës dhe unë isha konsulent në Institutin Oftalmologjik, më sillte emigrantë të traumatizuar në sy, që nuk kishin mundësi financiare për t’u kuruar dhe unë me aprovimin e profesorit i ndihmoja. Mbasandaj vinte bashkë me të shoqen për vizita mjekësore, që përfundonin me humorin e buzëqeshjen e tij dhe kështu u bëmë më të afërt, në një simbiotikë mutuale (reciproke).

Më kujtohet njëherë mbas vizitës që insistonte të paguante dhe unë refuzova. Ai u largua rrëmbimthi dhe u kthye me një pikturë në dorë. Kam harruar, këtë peizazh pikture ta dërgon, si dhuratë Nestori. Unë e falënderova dhe ai u largua i kënaqur. Në pranverën e vitit 2008 sapo ishte kthyer nga Vlora, që siç thoshte nuk ndahej dot (e thoshte me aq emocione sa mua më shkaktonte nostalgji), por shikimit të tij i kishte humbur transparenca. Puna intensive i kishte privuar sytë dhe ai priste me ankth konkluzionin tim. Pasi e vizitova e informova për ekzistencën e kataraktit, një hypertension okular mbase sekondar, në terrenin e një angjioskleroze të avancuar, për të cilën i rekomandova vizitën tek specialisti përkatës.

Ai e priti me një buzëqeshje politese, veç mbeti i menduar. Mandej nxori nga xhepi një ftesë për një koncert, “mesazh miqësie” e kishte quajtur, me pjesëmarrjen e një grupi amator himarjot dhe një grupi epirjot grek. Fundviti i 2008 e gjeti në institut tashmë të operuar në sy, mes entuziazmit me frazën e tij joshëse: “Nuk e dija se transparenca e shikimit të jep transparencë në mendim”. Mbas vizitës, më dhuroi librin e tij interesant, një sintezë e realizuar mbas shumë hulumtimeve arkivale: “Dokumente të rinj për Ismail Qemalin”, me një autograf mirënjohjeje dhe respekti. Aty më njoftoi se kishte filluar një studim për Bajronin, që kërkonte punë dhe impenjim. Dionisi i poezisë lirike “me aventurën e dashurisë të Bajronit me vajzën Athinase”, por edhe i mendimit filozofik, me “pasqyrat e Aferditës” një psikoanalize dhe psikoterapi alegorike deri në investigimin e detajuar të figurës të I.Qemalit me të pathënat e saj.

Qysh me emërtimin e tij Dionis, si “bir i Zeusit personifikonte adoleshentin e përjetshëm” duke përfaqësuar “shpirtin e energjisë dhe fuqisë transformuese”, duke mos njohur limite, duke intriguar mbi të pamundurën… Nuk më kishte shkuar ndërmend që ky do të ishte dhe takimi i fundit, me Nisin “in vivo”. Maji i vitit 2009 ishte për të si një rrufe në qiell të kaltër. Goditja e rëndë e një ischemie cerebrale tinëzare, i rrëmbeu bashkë me buzëqeshjen dhe intelektin. Nuk mund ta përshkruash dhimbjen dhe keqardhjen që na shkaktoi incidenti i këtij “intelektuali emigrues” i këtij misionari të dashurisë dhe humanizmit, shpesh mbase i çuditshëm dhe i paperceptueshëm.

Një karakter i sinqertë, një shpirt i paqetë, ku reflektoheshin dallgët dhe aroma e Adriatikut me krenarinë dhe madhështinë e Cikës. Në kulmin e aktivitetit kreativ, ajo “stroke” insidioze me egoizmin imperativ e largoi nga skena e protagonistit. I pushtoi mendjen, këtij personaliteti të kulturës dhe edukimit, frenoi atributet dhe botën e tij lirike, që e ndërtoi në një pelegrinazh erudit të vërtetë, duke kërkuar vlerat e veçanta, që ai i veshi me mantelin artistik. Kontributin e tij, ai ia dedikoi unifikimit dhe respektimit të dy kulturave fqinje me bypass mentalitetin europian përparimtar, ndaj atij ballkanik konservator. Profilit të tij shkencor matematicien i transplantoi sensin artistik me fantazi dhe sinqeritet të shkrimtarit, analistit eseistit dhe përkthyesit.

Por, fizionomia e tij kreative shtrihej mes kontrasteve nga racionalja tek iracionalja, nga e konceptueshme në të paperceptueshmen, një shpirt endacak që mes shpërthimeve emocionale impresionante, zbulonte të fshehtat kulturore por edhe spirituale ku të mundeshe. Sa aktuale dëgjohet konsiderata e Frojdit mbi psikoanalizën e temperamentit artistik ku artistit i bashkon dhe nuancën “near neurotic”… Dhe nga shtrati i letargjisë së pafund, ai dërgon mesazhin e triumfit të mbijetesës, se nuk ka si shpjegohet shkencërisht rezistenca somatike e një zemre të pathyeshme për 15 vjet (kur në bibliografi rastet me atë patologji nuk kalojnë dekadën e mbijetesës).

Pra, mbetet një mit, një madhështi në enigmë që sfidon vdekjen, mister dhe rast për një analizë shkencore… “kërkon e kërkon nëpër errësirë, shtegun e dhimbshëm, shtegun e shpresës “… atë shpresë që predikonte! Shpresa për një mrekulli, sado utopike që mund të dëgjohet, mbetet urim sublim për të. Imazhi i tij, një miksazh Prometejan dhe Diogjenik, që veç admirim, krijon në shpirt e në zemër, më kujton sentencën e V.Hygoit: “Njerëzit e mëdhenj e bëjnë vetë piedestalin, e ardhmja kujdeset për statujën”.

Të ngjashme
OpEd • 27 Qershor 2024
OpEd • 25 Qershor 2024
OpEd • 24 Qershor 2024