Lajme
Madhështia e figurës së Adem Jasharit do të rritet edhe më shumë
Demokracia
12:46 | 06 Mars 2023

Share:

Dje në Kosovë ka nisur Epopeja e UÇK-së, që këtë vit shënon 25-vjetorin e rënies së komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij në Prekaz.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin gjithmonë cak i forcave policore, ushtarake e paraushtarake serbe. Synimi ishte shuarja e rezistencës që kishte filluar të organizohej.

Pas pak ditësh, më 5 mars, ushtria dhe policia serbe rrethuan familjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së, ku familja Jashari rezistoi për 3 ditë dhe 3 net në luftimet kundër armikut.

Në sulmin ndaj familjes Jashari ranë 59 anëtarë të kësaj familjeje, duke u bërë shembulli më unik i sakrificës për liri që bota nuk e kishte parë deri atëherë.

Në këtë ditë të rëndësishme për vendin, në përvjetorin e kësaj beteje, po mungojnë figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen padrejtësisht në Hagë.

Demokracia.com sjell disa prej deklaratave të ish-krerëve të UÇK-së, të cilat i kishin dhënë në kujtim e nderim të komandantit Adem Jashati vite me parë.

Për ish-presidentin Hashim Thaçi, Epopeja e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars bëri kthesë historike për Kosovën, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Sipas Thaçit, sakrifica heroike e familjes Jashari, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, ishte e pashembullt dhe hapi shtegun e lirisë dhe pavarësisë sonë.

“Epopeja e UÇK-së është pika kulmore historike e kombit tonë. Sakrifica legjendare e komandantit, Adem Jashari dhe familjes së tij janë sublimim i synimeve shekullore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Epopeja e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars bëri kthesë historike për Kosovën, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Sakrifica heroike e familjes Jashari, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, ishte e pashembullt dhe hapi shtegun e lirisë dhe pavarësisë sonë. Vitet po shkojnë, por madhështia e figurës së Adem Jasharit do të vazhdojë të rritet edhe më shumë. Kryekomandanti dhe familja Jashari janë simbol i pavarësisë së Kosovës për shqiptarët anekënd botës”, kishte thënë Thaçi.

Ndërsa, Kadri Veseli, kishte thënë se sakrifica e familjes Jashari ndryshoi historinë e kombit tonë.

“Ngjarjet e 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998 në Prekaz nxorën para gjithë botës të vërtetën e madhe të Kosovës: Në njërën anë, kishim regjimin e egër serb të gatshëm për çdo lloj terrori, vetëm që të mbajnë nën sundim Kosovën. E në anën tjetër, popullin e saj, që kishte vendosur t’i jepte fund njëherë e përgjithmonë robërisë. Adem Jashari besonte se ëndrra për liri ishte më e fortë se terrori. Ëndrra e Adem Jasharit dhe mijëra dëshmorëve të Kosovës u bë realitet”, kishte deklaruar Veseli.

Ndërsa, Rexhep Selimi, kishte thënë se Epopeja e UÇK-së dhe Jasharajt janë ADN-ja e shqiptarizmës.

“Themeli i UÇK-së është aktiviteti i Adem Jasharit me shokë. Mbi këtë u themelua UÇK-ja. Kur bëhet fjalë për UÇK-në, brezat janë lidhur me njëri-tjetrin. Në nëntorin e vitit 1994 janë bërë këto shkronja bashkë: UÇK!” kishte thënë Selimi.

Sipas Selimit, në themelet e kalasë së kombit në Prekaz rron e gjallë dhe e pavdekshme Ushtria Çlirimtare e Kosovës, rron i gjallë emri i Adem Jasharit.

“Aty Jasharajt janë të pavdekshëm. Aty u mboll liria jonë. Aty ruhet secila shkronjë e betimit të ushtarit të UÇK-së. Aty ruhet porosia për ne”, kishte thënë Selimi.

Kurse, Jakup Krasniqi, pas 5, 6 dhe 7 marsit kishte thënë se nuk kishte më kthim prapa dhe nuk kishte forcë politike që mund ta ndalte më luftën.

“Pas 5, 6 e 7 marsit lufta nuk kishte kthim prapa dhe nuk kishte forcë politike, as brenda e as jashtë vendit, që mund ta ndalte atë. Gjithçka që ka ndodhur nga atëherë e deri më sot, burimin e ka pasur dhe e ka në Prekazin e Adem Legjendarit. Shkurt, liria, pavarësia e shteti ynë aty i kanë themelet e ngritjes”, kishte deklaruar Krasniqi. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme