Lajme
Macron pas takimit me Merz: Evropa pret vendimin për armëpushim 30-ditor nga Putini
Demokracia
17:55 | 07 Maj 2025

Share:

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se nuk beson që presidenti rus Vladimir Putin do ta respektojë armëpushimin tre-ditor të vetëshpallur, por theksoi se Evropa pret një vendim serioz nga Rusia për të paktën një armëpushim 30-ditor për të koordinuar veprimet e ardhshme.

Macron e bëri deklaratën gjatë një konference të përbashkët për shtyp pas një takimi me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Pallatin Elysee, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Sot, ka vetëm një pyetje që na duhet përgjigje: A është Rusia gati për një armëpushim që zgjat të paktën 30 ditë, në mënyrë që të ndërtojmë një paqe të fortë dhe të qëndrueshme në atë kontekst?”, pyeti Macron.

Sipas tij, është thelbësore për bashkësinë ndërkombëtare që presidenti rus të mbajë premtimet që ka bërë, përfshirë ato të bëra gjatë bisedimeve me administratën amerikane.

“Pas tre ditëve të premtuara (të armëpushimit), të cilat padyshim nuk do të respektohen, njësoj si ato të mëparshmet, a do të veprojë më në fund presidenti rus seriozisht? Kjo është ajo që ka rëndësi për ne”, theksoi Macron.

Makron vuri në dukje se udhëheqësit evropianë po punojnë për të arritur një armëpushim 30-ditor për të marrë përgjegjësinë për hapat e ardhshëm.

“Sidoqoftë, ne jemi të gatshëm të mbështesim një armëpushim të tillë 30-ditor dhe të ndërtojmë një paqe të fortë dhe të qëndrueshme, duke marrë përgjegjësi dhe duke punuar në koordinim shumë të ngushtë me Kancelarin”, shtoi ai.

Kujtojmë se Friedrich Merz është në vizitën e tij të parë të huaj si Kancelar, duke u takuar me presidentin Macron në Francë. /

Të ngjashme