Lajme
Macron këmbëngul për paqen me Putinin: Jepi fund luftës në Ukrainë
Demokracia
22:37 | 03 Maj 2022

Share:

Presidenti francez Emmanuel Macron, vijon ende të besojë në ndërgjegjësimin e homologut rus, Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ai ka zhvilluar një tjetër bisedë telefonike me kreun e Kremilnit, ku i ka kujtuar edhe pasojat që po shkakton lufta.

Presidenti francez Emmanuel Macron vijon të këmbëngulë për arritjen e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.

Këtë të martë ai ka zhvilluar një tjetër bisedë telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin, që ka zgjatur për rreth 2 orë bën me dije Pallati i Elizesë.

Raportohet se Presidenti Macron e paralajmëroi Putin për pasojat e luftës që po shkakton Rusia në Ukrainë dhe i bëri thirrje për ti dhënë fund këtij agresioni shkatërrimtar.

Gjithashtu ai i kërkoi nga Moska që të lejojë evakuimin e mëtejshëm të civilëve të bllokuar në fabrikën Azovstal të Mariupolit, thuhet në deklaratën e zyrës së presidentit francez.

Nga ana tjetër presidenti Putin është shprehur ende i hapur për dialog me Kievin, por Perëndimi duhet të ndalojë furnizimin me armë për Ukrainën, thuhet në një deklarate të Kremlinit

Putin pretendon se vendet e Bashkimit Evropian i shpërfillën krimet e luftës të forcave ukrainase dhe bombardimet e tyre në qytetet dhe fshatrat e rajonit të Donbasit.

Kievi nuk është gati për negociata serioze për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë, mësohet ti ketë thënë kreu i Kremlinit, presidentit Macron gjatë bisedës telefonike të zhvilluar.

Që prej ditës së diel, rreth 150 civilë janë evakuuar nga bunkerët e fabrikës Azovstal, pas më shumë se dy muajsh të bllokuar atje pa parë “dritën e diellit” me sy.

I gjithë qyteti-port i Mariupolit përveç zonës rreth Azovstal-it, ka rënë nën kontrollin e ushtrisë ruse, ku nga luftimet e “përgjakshme” kanë humbur jetën me mijëra civilë. /OraNews

Të ngjashme