Lajme
Macron: Ka rrezik që Evropa jonë mund të vdesë, s’jemi të pajisur për ballafaqim me rreziqet
Demokracia
14:20 | 25 Prill 2024

Share:

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të enjten bëri thirrje për mbrojtje më të fuqishme dhe më të integruar evropiane dhe tha se kontinenti nuk duhet të bëhet vasal i Shteteve të Bashkuara, përderisa e paraqiti vizionin e tij për një BE më kategorike në skenën globale.

“Është një rrezik që Evropa jonë mund të vdesë. Ne nuk jemi të pajisur për t’u ballafaquar me rreziqet” – tha Macroni në fjalimin e tij në Universitetin e Sorbonës në Paris, duke paralajmëruar se presioni ushtarak, ekonomik dhe lloje të tjera të trysnisë mund ta dobësojnë dhe përçajnë bllokun me 27 shtete, raporton agjencia “Reuters”.

Presidenti francez tha se Rusisë nuk duhet t’i lejohet fitorja në Ukrainë dhe bëri thirrje për fuqizimin e kapacitetit të sigurisë kibernetike të Evropës, lidhje më të ngushta të mbrojtjes me Britaninë dhe themelim të një akademie evropiane për të trajnuar personel ushtarak të gradave të larta.

“Nuk ka mbrojtje pa industri të mbrojtjes… kemi pasur dekada të nën-investimit” – tha ai, duke shtuar se evropianët duhet t’i japin parapëlqim blerjes së pajisjeve ushtarake evropiane.

Evropa “duhet të tregojë se kurrë nuk është vasale e Shteteve të Bashkuara dhe se gjithashtu di si të flasë me të gjitha rajonet e tjera të botës” – tha kreu i shtetit francez.

Macroni për një kohë të gjatë ka bërë thirrje për “autonomi strategjike”, e cila do të përfshinte më pak mbështetje në Shtetet e Bashkuara, qëndrim që ka gjetur më shumë hapësirë përballë synimit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Trumpi shpesh e ka akuzuar Evropën se po e merr falas mbrojtjen në kurriz të ShBA-së.

Sidoqoftë, shumë zyrtarë të Bashkimit Evropian besojnë se tash për tash nuk ka alternativë të besueshme ndaj ombrellës ushtarake të ShBA-së dhe disa dyshojnë se Macroni po i shtyn përpara interesat industriale franceze.

Më tej, presidenti francez tha se Evropa rrezikon që të mbetet prapa në aspektin ekonomik në një kontekst ku rregullat globale të tregtisë së lirë po sfidohen nga konkurrentë të mëdhenj dhe shtoi se kontinenti duhet të synojë që të bëhet udhëheqës global për inteligjencë artificiale, kompjuterikë kuantike, hapësirë, bioteknologji dhe energji të ripërtëritshme.

Të ngjashme