Lajme
Macron dhe Le Pen sot përballen në TV, ky debat pritet të ndikojë tek votuesit e pavendosur
Demokracia
15:34 | 20 Prill 2022

Share:

Në Francë, gara presidenciale mes Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen kulmon këtë të diele, ndërsa dy kandidatët do të përballen sot në debatin e parë televiziv.

Paralelisht, agjencia e mashtrimit të Bashkimit Evropian akuzon kandidaten e ekstremit të djathtë dhe anëtarë të tjerë të partisë së saj nacionaliste për keqpërdorim të fondeve publike gjatë kohës që shërbenin në Parlamentin Evropian.

Balotazhi i 24 prillit po ndiqet me vëmendje nga shumë vëzhgues politikë.

Disa vlerësojnë se Marine Le Pen nuk ka qenë kurrë më pranë fitores. Analistët, megjithatë paralajmërojnë se një fitore e Le Pen do ta vendoste BE-në në një krizë ekzistenciale dhe do të ndalonte integrimin e mëtejshëm në union.

“BE-ja aktualisht ka ngarkesa në agjendë kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë, për krizën e sundimit të ligjit, për agjendën klimatike dhe ne kemi zgjedhjet evropiane që vijnë në 2024-ën. Pra, janë dy vjet gjatë të cilave duhet të ecet vërtet përpara, dhe mendoj se me Marine Le Pen në Pallatin Elysee kjo mund të jetë shumë më e vështirë sesa me presidentin aktual”.

Ndërkohë Marine Le Pen ka një histori të gjatë të mbështetjes së një axhendë anti-evropiane dhe fitorja e saj do të ndalonte integrimin e mëtejshëm në BE.

“Ajo ka thënë se ishte për Frexit, daljen e Francës nga Bashkimi Evropian në vitin 2012. Në vitin 2017 ajo tha se Franca duhej të largohej nga eurozona dhe tani nuk po e thotë më këtë, por parimet bazë të politikave së saj nuk kanë ndryshuar, kështu që ajo do ta vendoste BE-në në një krizë ekzistenciale, pasi do të ishte kundër çdo lloj politike të BE-së dhe çdo lloj përparimi që mund të bëhet në Bruksel”.

Të dy kandidatët përballen me sfidën e sigurimit të mbështetjes së votuesve me prirje të majtë pas eliminimit të kandidatëve të tyre në raundin e parë.

Vetëm disa ditë përpara votimit përfundimtar në ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës, Le Pen është shumë pranë presidencës, por rritja e saj spektakolare në sondazhet e opinionit, u duk se ka ngecur disi pas raundit të parë, ndërsa Emmanuel Macron intensifikoi fushatën e tij.

Të ngjashme