Lajme
LVV kërkoi shtyrjen e afatit për certifikimin e partive për zgjedhjet në veri, KQZ e shqyrton
Demokracia
14:35 | 21 Nëntor 2022

Share:

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Komisioni Qendrori i Zgjedhjeve (KQZ) që të shtyhet afati për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave veriore në Kosovë. Nga KQZ thonë se janë duke e trajtuar këtë çështje.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Demokracia.com tha se janë duke e trajtuar çështjen e ndryshimit të afateve të aktiviteteve zgjedhore.

“Ju njoftoj se çështja e ndryshimit të disa afateve të aktiviteteve zgjedhore, në mesin e të cilave edhe afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në këto zgjedhje, është duke u trajtuar dhe do t’iu njoftojmë me kohë gjatë ditës”, tha Elezi.

Ai më tej ka njoftuar se deri më sot në orën 14:00 vetëm një subjekt politik ka paraqitur kërkesën për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet në veri të vendit.

Deri më tani (21 nëntor, 14:00) KQZ-ja ka pranuar një kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Subjekti politik Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, tha Elezi për Demokraica.com.

Përndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte njoftuar të gjitha partitë politike, kandidatët e pavarur, koalicionet dhe iniciativat qytetare, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, se afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje ka filluar më 15 nëntor dhe do të përfundojë më 21 nëntor 2022.

Kryetarët e komunave veriore kanë dhënë dorëheqje pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, ndërsa deri më tani Lista Serbe nuk ka dorëzuar në KQZ kërkesë për certifikim./Demokracia.com/

Të ngjashme