Lëvizja Vetëvendosje nuk po ka as me çfarë të krenohet në qeverisjen e saj. E gjendur përballë kritikave të vazhdueshme për dështimet e gjithanshme sektoriale në qeverisje, Lëvizja Vetëvendosje tani ka filluar t’i “reklamojë” projektet e organizatave të huaja ndërkombëtare, që ato po i implementojnë në Kosovë.
“Krahas punës dhe drejtësisë shtylla tjetër e punës së qeverisë janë projektet e mëdha në bashkërendim edhe me organizmat ndërkombëtarë në fushat prioritare për ekonominë e vendit”, është një postim i LVV-së, ku radhiten disa prej projekteve ndërkombëtare që po implementohen si vazhdimësi në vendin tonë, për të cilat nuk ka kurrfarë merite kjo qeverisje, shkruan Demokracia.com.
Por, prej kur Kosova qeveriset nga Albin Kurti, shumë pak investime janë bërë në rrugë, spitale, shkolla e projekte kapitale. Tenderët dhe kontratat me kompani kanë qenë tejet të vogla krahasuar me vitet paraprake.
“Kur qytetarët kanë shpresë, atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë”, ishte deklarata e kryeministrit Kurti në kohën kur Kosova po përballet me inflacionin më të madh ndër vite, deri në 14.1 për qind. Megjithatë, Qeveria Kurti rezulton të jetë vetë e pashpresë, pasi që ajo ka futur rreth 400 milionë euro më pak në qarkullim krahasuar me qeveritë e tjera.
Faktin se në vitin e kaluar nuk kishte investime e tregon edhe një raport i Autoritetit të Prokurimit Publik, ku shihet me detaje sa punë është bërë në vitin 2021 krahasuar me vitet 2018, 2019 dhe 2020, shkruan Demokracia.com.
Siç tregohet në këtë raport zyrtar, në vitin e kaluar ka pasur më së paku kontrata të nënshkruara për kryerjen e punëve. Ndërsa, në vitin 2018 dhe 2019 ishin dhënë më së shumti kontrata.
Gjatë vitit 2018 janë nënshkruar gjithsej 12 mijë e 412 kontrata.
Gjatë vitit 2019 janë nënshkruar gjithsej 12 mijë e 461 kontrata.
Gjatë vitit 2020 janë nënshkruar gjithsej 10 mijë e 935 kontrata.
Gjatë vitit 2021 janë nënshkruar gjithsej 9 mijë e 892 kontrata.
“Duke u bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik të Kosovës, autoritetet kontraktuese janë të obliguara t’i paraqesin të gjitha kontratat e nënshkruara, duke përfshirë edhe ato me vlerë minimale”, thuhet në raport, duke treguar se analiza e kontratave të nënshkruara fillohet me ndarjen e autoriteteve kontraktuese në organizata buxhetore, si qeveritare, kompani publike dhe të tjera – OJQ.
Duke e pasur parasysh numrin e vogël të kontratave që janë nënshkruar gjatë vitit 2021, në kohën sa Kosova është qeverisur nga Albin Kurti, e ulët është edhe vlera e tyre në para, raporton Demokracia.com.
Sipas raportit, vlera e kontratave të ndëshkuara në vitin 2019 ishte mbi 781 milionë euro. Kurse, në vitin 2021, vlera e tyre është afër 430 milionë euro. /Demokracia.com/
LEXO EDHE: