Lajme
LVV-ja e Qeveria mbrojnë Krasniqin e arrestuar me argumentin se ‘u rrit profiti’ i KEK-ut
Demokracia
17:09 | 26 Prill 2023

Share:

Ministrave të Qeverisë Kurti dhe deputetëve të VV-së nuk iu ka bërë përshtypje aspak që Nagip Krasniqi, kryeshefi i suspenduar i KEK-ut, gjendet në paraburgim nën dyshime për korrupsion.

Në seancën e jashtëzakonshme parlamentare, ata kanë garuar me njeri-tjetrin se kush po e mbron më shumë ish-bashkëpartiakun e tyre, i cili është arrestuar javën e kaluar.

Në të gjitha adresimet e tyre, ata kanë pretenduar se Krasniqi ka qenë shumë i suksesshëm në menaxhimin e KEK-ut, ndërsa kanë sulmuar Prokurorin e Shtetit për aksionin e ndërmarr.

E para që i ka dal në mbrojtje ka qenë shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo treguar se në mandatin e tij të ardhurat e KEK-ut ishin rekorde.

“Po e bëj një paralele me arrestimin e ish-drejtorit të BQK-së, Hashim Rexhepi. Arrestime të tilla nuk ndodhin pse i jepen tenderë dikujt, por pse nuk i jepen tenderë dhe kontrata dikujt tjetër”, ka thënë Kusari-Lila.

Edhe më në detaje për sukseset e Krasniqit ka folur Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Dje Bordi i KEK-ut ka pezulluar nga detyra kryeshefin Menjëherë pas kësaj, mbrëmë kemi vizituar termocentralet e kek-ut ku u informuam me mbarëvajtjen e punëve. KEK-u ka mbyllur vitin e kaluar me shumë suksese me fitim rekord. Sivjet dhe dy vjetët e ardhshme jemi në një periudhë kritike në KEK, sepse me investimet që po bëjmë do të sigurojmë që termocentralet të jenë në funksion për 20 vjetët e ardhshëm”, ka thënë Rizvanolli, duke i shtruar edhe disa pyetje për opozitën.

“Dua të ju siguroj që ME është duke angazhuar që ndërmarrja të vazhdojë me sukses. Desha ta pyes një pjesë të opozitës, pse gjatë këtyre dy vjetëve keni folur aq rrallë për politikat e aq shpesh për tenderët. Pse i dini kaq në detaje. Por nuk po i pyes se unë kam jetuar këtu, ju njoh, ju njohin edhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Rizvanolli.

Mbrojtjen ndaj Krasniqit e ka vazhduar edhe deputetët e VV-së, Armend Muja dhe Halil Thaçi.

Ky i fundit, ka thënë se Krasniqi e ndalur gjakderdhjen më të madhe financiare në Republikën e Kosovës.

“E kam thënë edhe në prononcimet e mia për media, po e them edhe tani, se kam qenë dhe jam i brengosur për sigurinë e një personi siç është Nagip Krasniqi, person ky që ka arritur që të ndalë gjakderdhjen më të madhe financiare në Republikën e Kosovës. Ky person ka qëndruar në vijën e parë të përballje më ata që shtetin dhe asetet e tij i shohin si plaçkë lufte, duke i përvetësuar për veten e tyre dhe familjarët dhe shokët e tyre që në përgjithësi janë të lidhura më ish-regjimin”, është shprehur ai.

Thaçi, për të cilin mediat kishte punësuar disa familjar në KEK, ka kritikua edhe prokurorinë.

“Nëse ka një drejtor në KEK, i cili në prokurori ka deponuar më së shumti lëndë është drejtori i cili gjendet prapa grilave. Për mua është mesazh i qartë nga prokuroria, ai që e lufton zhvatjen dhe keqpërdorimin, dhe e pengon mafinë energjetike do të përfundoj në pranga”, ka deklaruar Thaçi.

Haxhiu ‘ia bën vetingun’ prokurorit Blerim Isufaj

Për sulmet me specifike ndaj sistemit të dritësisë është përkujdesur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka bërë me dije se prokuroria nuk i merr parasysh lendet që dorëzohen nga qeveria.

“Më lejoni të ju njoftojë që vetëm ministria e Ekonomisë ka adresuar më shumë ndoshta se njëzat lëndë, qoftë në Polici e qoftë në Prokurori! Për asnjërën prej tyre, asnjëherë, nuk është ftuar askush që i ka deponuar këto raste.”, është shprehur Haxhiu.

Më konkretisht, ajo përmendi edhe rastin e një prone publike duke e akuzuar direkt një ish-ministër për të.

“Kam gjetur në Ministrinë e Drejtësisë, ta zëmë, që prona publike nga ish-ministri e ish-drejtori i burgjeve i është dhënë privatit.”, ka thënë ajo.

Në adresimin e saj, ajo ka sulmuar ashpër prokurorin Blerim Isufaj që po synon të bëhet kryeprokuror.

“Ju e dini shumë mirë se për çka përkushtohet Qeveria Kurti. Neve na duhet një Kryerokuror që nuk e ka bishtin e zënë me derë…”, ka thënë ajo, duke shtuar se Isufaj është i paaftë.

“Nuk mundemi edhe me shtatë vite me e çu me një prokuror që është i paaftë, që nuk ka integritet moral…”, ka thënë Haxhiu.

Opozita thotë se pushteti e ka një zor të madh

Partitë opozitare janë habitur me mbrojtjen që pushteti ia ka bërë Nagip Krasniqit.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kjo tregon se pushteti e ka një zor të madh.

“Nuk ka mundur askush të marrë pozitë pa u intervistuar nga Albin Kurti. Ai është krijuesi i korrupsionit me lidhje të shkurtër. Ai ka shprehur mosbesim në të gjithë të tjerët dhe ka besuar qe vetëm dostat e tij janë të pakorruptuar dhe nëse prokurori nuk është dost i tij ai është i korruptuar. Kryeministri i Kosovës e ka mbrojtur njeriun e arrestuar dhe jo Prokurorinë. A e dini pse? Se është i shantazhuar nga dostat. Pozicionimi në anën e dostave është krim ndaj ligjit, ndaj demokracisë, është vepër penale. Unë besoj shumë këta njerëz e kanë një zor të madh. Sepse ai e din që krejt sistemin që e ka ndërtu e ka të dostave”, ka thënë Haradinaj.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është habitur me mbrojtjen që pushteti po ia bën Krasniqit.

Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.

“Unë konsideroj që tema për të cilën jemi mbledhur është e rëndësishme për qytetarët sepse po flasim për dyshimet për keqpërdorime marramendëse të cilat nuk është se janë të papritura në sektorin e energjisë. Janë befasuese sjelljet e shumicës e të kryeministrit sepse në çdo vend normal në momentin kur bëhet publik lajmi i arrestimit të shefit të energjisë së Kosovës, që ka qenë shef për energji në LVV, në atë moment një kryeministër do të duhej të kërkonte shkarkimin imediat sepse kjo është postulat ligjit e kushtetues. Ne nuk e kemi pasur këtë situatë, është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë. Vjen kryeministri këtu, le që e mbron por edhe fillon e sulmon e shantazhon komplet sistemin e drejtësisë”, ka thënë Krasniqi.

Seanca e sotme parlamentare është thirrur me kërkesë të deputetëve opozitarë për debat parlamentar lidhur me arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi. Ky i fundit, nën dyshime për tri vepra penale, është arrestuar javën e kaluar. Më pas, gjykata ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

 

Të ngjashme