Lajme
LVV ende s’ka marrë vendim për asamblistin e arrestuar, qendra pritet të mblidhet
Demokracia
17:39 | 30 Qershor 2022

Share:

Asamblisti i Vetëvendosjes në Komunën e Suharekës, Liridon Fandaj, është njëri nga 11 të arrestuarit gjatë aksionit të djeshëm të Policisë për keqpërdorime të subvencioneve.

Siç bën të ditur policia, të arrestuarit dyshohen se kanë përfituar subvencione përmes dhënies së ryshfetit dhe falsifikimit të dokumenteve.

Lidhur me këtë, udhëheqësi i Qendrës së LVV-së në Suharekë, Salih Zyba, në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se së shpejti do të marrin vendim për anëtarin e implikuar në këtë rast.

“Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë me të marrë lajmin për arrestimin e një asamblisti tonë në rastin e ‘Subvencioneve’ është marrë me prioritet me këtë çështje. Qendra do të mblidhet sa më parë dhe konform rregullave dhe statutit tonë do të marrim vendime konkrete dhe adekuate për anëtarin e implikuar në këtë rast”, ka deklaruar Zyba.

Ai ka shtuar se Vetëvendosje nuk do ta amnistojë rastin dhe i ka bërë thirrje gjyqësorit që ta bëjë punën e tij në mënyrë që të zbardhet i gjithë procesi.

“Nuk duam as të paragjykojmë e as të amnistojmë rastin. Subjekti ynë ka qenë dhe mbetet subjekti më i zëshëm kundër keqpërdorimeve me ‘Subvencione’, andaj është esenciale që drejtësia të vihet në vend për secilin rast, për secilin keqpërdorim eventual në sektorin e bujqësisë dhe jo vetëm. Me qeverisjen e re në nivel qendror, gjyqësorit e Policisë iu bëjmë thirrje që të bëjnë punën e tyre në mënyrë që të zbardhet rasti. Askush në Kosovë nuk do të jetë mbi ligjin”, tha Zyba.

Demokracia.com ka raportuar e para lidhur me arrestimin e asamblistit të LVV-së, Liridon Fandaj.

Të ngjashme